Në ishullin tropikal të Mauritius, ku dasmat buzë detit janë të zakonshme, një incident i vogël mund të kthehet shpejt në makth: humbja e unazës së martesës në ujë. Por për këtë ekziston një zgjidhje e pazakontë, Zoël Manguillier, njeriu që ka ndërtuar një reputacion të jashtëzakonshëm duke gjetur unaza të humbura edhe në oqean, sipas Wall Street Journal.
Në zonën turistike Trou d’Eau Douce, menaxherët e resorteve mbajnë gjithmonë disa numra emergjence: policinë, ambulancën, zjarrfikësit, dhe Manguillier, i cili thirret kur një dhëndër humbet unazën në dallgët e Oqeanit Indian.
Edhe pse ka amatorë që përdorin detektorë metalesh dhe përpiqen të ndihmojnë në raste të tilla, Manguillier konsiderohet zgjedhja më e sigurt në ishull. Ai përdor një detektor profesional dhe ka një rekord të jashtëzakonshëm në gjetjen e unazave të humbura, qoftë në rërë apo nën ujë.
Aftësia e tij për të rikuperuar objekte në kushte të vështira, shpesh kundër çdo pritshmërie, e ka bërë atë një figurë të njohur në industrinë turistike lokale. Për shumë çifte, ai është personi që shpëton një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tyre.
Në një vend ku dasmat luksoze dhe plazhet me ujëra të kristaltë janë pjesë e përditshmërisë, Manguillier është bërë një “hero i heshtur”, gjithmonë gati për të rikthyer atë që duket e humbur përgjithmonë. /skyweb.al















