Inflacioni mbetet një rrezik në horizont, por Banka e Shqipërisë ka vendosur të mos ndërhyjë në normën bazë të interesit, duke e lënë atë të pandryshuar në nivelin 2.5%.
Vendimi u mor nga Këshilli Mbikëqyrës, ndërsa Guvernatori Gent Sejko paralajmëroi për pasiguritë e larta që vijnë nga zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht nga konflikti në Lindjen e Mesme .
Sipas tij, rritja e çmimeve të naftës dhe produkteve energjetike në tregjet ndërkombëtare përbën një burim të drejtpërdrejtë presioni për inflacionin, ndërsa efektet në ekonominë shqiptare mbeten të vështira për t’u parashikuar .
Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë do të marrë kohë për të vlerësuar ndikimin e plotë të kësaj situate, duke paralajmëruar se nëse konflikti zgjatet dhe intensifikohet, mund të krijojë një goditje të fortë inflacioniste të ngjashme me atë të luftës në Ukrainë në vitin 2022 .
Në këto kushte, ai u shpreh se politika monetare do të mbetet e kujdesshme dhe e orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, duke shmangur që presionet e përkohshme të kthehen në inflacion afatgjatë .
Ndërkohë, ekonomia shqiptare vijon të shfaqë ecuri pozitive, e mbështetur nga konsumi, investimet private dhe eksporti i shërbimeve, ndërsa tregu i punës mbetet i fortë me rritje të punësimit dhe pagave .
Megjithatë, Banka e Shqipërisë sinjalizon se zhvillimet e jashtme mbeten faktori kryesor i rrezikut, ndërsa çdo vendimmarrje e ardhshme do të varet nga ecuria e inflacionit dhe ndikimi i çmimeve të energjisë në ekonomi./ skyweb.al















