Butrinti po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj, duke u shndërruar në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor në Shqipëri.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se Butrinti po konsolidohet si një destinacion me vlerë të shtuar në nivel ndërkombëtar. Sipas tij, për vite me radhë ky sit nuk arriti të shfrytëzonte plotësisht potencialin për shkak të menaxhimit të fragmentuar dhe mungesës së standardeve të qëndrueshme. Ndërsa sot, falë një qasjeje të re të fokusuar te mirëmenaxhimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm, ai po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në arenën globale.
Gonxhja theksoi se statistikat janë domethënëse: rreth 96% e vizitorëve janë të huaj, çka tregon një profil shumë tërheqës ndërkombëtar. Ndërkohë, koha mesatare e qëndrimit prej 2.4 orësh sugjeron se vizita në Butrint nuk është thjesht një ndalesë e shkurtër, por një përvojë e plotë kulturore.
Sipas të dhënave të publikuara për vitin 2025, Butrinti është vizituar nga 295,152 persona, duke shënuar një rritje prej 147% krahasuar me vitin 2023. Pjesa dërrmuese e vizitorëve vijnë nga vende si Franca, Gjermania, Polonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit shtrihet në një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në një lartësi 30–50 metra mbi nivelin e detit, në juglindje të gadishullit të Ksamilit. Pozicioni i tij natyror është mjaft i mbrojtur, i rrethuar nga liqeni i Butrintit në dy anë dhe nga kanali i Vivarit në anën tjetër, duke i dhënë një karakter unik si nga ana historike ashtu edhe natyrore.
















