Sipas analizave të tregut, nëse ndërprerja e importeve nga Katari zgjat për tre muaj, çmimet mund të rriten ndjeshëm deri në 155 euro për megavat/orë, nga rreth 50 euro që janë aktualisht. Një skenar i tillë do të sillte një situatë të ngjashme me krizën energjetike të vitit 2022.
Shkaku kryesor është ndërprerja e rrjedhës së LNG-së përmes Ngushticës së Hormuzit dhe devijimi i tankerëve drejt tregjeve aziatike, ku çmimet janë më të larta. Kjo ka krijuar presion të fortë mbi furnizimin e Europës dhe ka rritur pasigurinë për stabilitetin e tregut energjetik.
Sipas ekspertëve, një ndërprerje tre mujore mund të heqë deri në 21 milion ton LNG nga tregu global, duke ulur ndjeshëm rezervat e gazit në Europë dhe duke i çuar ato në nivele kritike në prag të sezonit veror.
Situata është veçanërisht problematike për vende si Italia dhe Belgjika, të cilat janë ndër më të varurat nga furnizimet me LNG nga Katari. Ndërkohë, kujtimet e krizës së vitit 2022 mbeten të freskëta, kur çmimet e gazit në Europë kaluan 300 euro për megavat/orë.
Zhvillimet e fundit po monitorohen me shqetësim nga qeveritë dhe tregjet, pasi një zgjatje e konfliktit mund të përkeqësojë më tej situatën dhe të rrisë kostot e energjisë për konsumatorët dhe ekonomitë europiane.
















