Organizata Safe Journalists Albania ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Financave, Petrit Malaj, lidhur me sigurimet shoqërore të gazetarëve, duke theksuar se të drejtat e punës në media nuk janë opsionale.
Reagimi vjen pas një përgjigjeje të Malajt gjatë një konference për shtyp, ku ai, i pyetur mbi kontrollet selektive tatimore, u shpreh se shqetësimi kryesor për gazetarët duhet të jetë nëse u paguhen apo jo sigurimet shoqërore, pasi në të kundërt rrezikojnë të mos përfitojnë një pension dinjitoz.
Safe Journalists Albania e konsideron këtë një problem real dhe të dokumentuar, duke nënvizuar se një pjesë e konsiderueshme e gazetarëve në Shqipëri punojnë pa kontrata të rregullta, me paga pjesërisht të deklaruara ose pa sigurime të plota shëndetësore dhe shoqërore.
Megjithatë, organizata thekson se përgjegjësia për këtë situatë nuk bie mbi gazetarët, por mbi punëdhënësit dhe institucionet shtetërore që kanë detyrimin ligjor për të garantuar pagesën e kontributeve.
Sipas reagimit, administrata tatimore, Ministria e Financave dhe inspektorati i punës kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të monitoruar dhe zbatuar ligjin, ndërsa gazetarët shpesh kanë kontroll të kufizuar mbi kushtet e tyre të punës, por mbajnë pasojat si në të tashmen ashtu edhe në të ardhmen.
Organizata nënvizon gjithashtu se të drejtat e punës janë të lidhura drejtpërdrejt me lirinë e medias, duke paralajmëruar se mungesa e kontratave të sigurta, pagave të drejta dhe mbrojtjes sociale i bën gazetarët më të cenueshëm dhe dobëson pavarësinë e tyre profesionale. /skyweb.al















