Një këndvështrim cinik ndaj natyrës njerëzore mund të të bëjë më të prirur ndaj zhgënjimit dhe tradhtisë sesa ata që e shohin botën me optimizëm. Megjithatë, ka mënyra më të mira për të shmangur mashtrimin, shkruan BBC.
Imagjino që ke rënë dakord të kesh një njohje të re, që mund të bëhet mik i mirë. Arrin në lokal, por ai/ajo nuk vjen. Pas gjysmë ore largohesh dhe më pas merr një mesazh: “Më fal, vëllai im pati aksident dhe duhet ta ndihmoj. A mund ta shtyjmë takimin?” A do ta besosh apo do mendosh se po gënjen dhe do e largosh nga jeta jote?
Reagimi yt ndaj situatave të tilla tregon më shumë sesa mendon. Një studim tregoi se niveli i përgjithshëm i besimit nuk ndikon në aftësinë për të dalluar gënjeshtrat. Edhe njerëzit më dyshues nuk janë më të saktë se ata më besues. Të gjithë priren të kenë “paragjykim drejt së vërtetës” (truth bias), duke supozuar se të tjerët po thonë të vërtetën.
Gjithashtu, është shumë e vështirë të dallosh gënjeshtrat nga gjuha e trupit apo shprehjet e fytyrës, sepse sinjalet janë të dobëta dhe ndryshojnë nga një person te tjetri.
Kur bëhet fjalë për mashtrime, situata është pak ndryshe. Për shembull, një email nga një “princ i huaj” është qartësisht i dyshimtë. Aftësia për të dalluar këto sinjale përcakton “naivitetin” (gullibility). Një studim tregoi se njerëzit që e pranojnë se janë më të lehtë për t’u mashtruar kanë më shumë gjasa të bien pre e email-eve mashtruese. Kjo nuk lidhet shumë me nivelin e përgjithshëm të besimit: mund të jesh besues, por të rishqyrtosh situatën kur sheh shenja paralajmëruese.
Studime të tjera tregojnë se ndjenjat pozitive ndaj njerëzimit (kur shohim akte të mira dhe altruizëm) nuk na bëjnë më të manipulueshëm. Përkundrazi, mund të na bëjnë më të vëmendshëm ndaj motiveve të të tjerëve dhe më të aftë për të kuptuar situatat.
Nga ana tjetër, cinizmi i tepruar mund të dëmtojë marrëdhëniet. Besimi mund të funksionojë si një profeci vetë-përmbushëse: kur u tregojmë të tjerëve besim, ata shpesh sillen më me ndershmëri. Nëse presim më të keqen, mund të nxisim sjellje negative që vetëm sa e përforcojnë këtë bindje.
Eksperimentet tregojnë se njerëzit që besojnë se besimi i tyre ndikon pozitivisht tek të tjerët janë më bashkëpunues dhe marrin më shumë kthim nga të tjerët. Pra, besimi mund të sjellë rezultate më të mira për të dyja palët.
Në përfundim, nuk ka nevojë të jesh cinik për të shmangur mashtrimin. Qasja më e mirë është të jesh përgjithësisht besues, por njëkohësisht i vëmendshëm ndaj shenjave që tregojnë se diçka nuk shkon.
















