Ndërkohë që në Tiranë çmimet e pronave vetëm rriten, në qytetet e tjera të vendit mund të investosh edhe lirë.
Sipas analizës së Investropa, tregu imobiliar në Shqipëri vazhdon të ofrojë prona me çmime të përballueshme nën 50,000 euro, për individët që kërkojnë një banesë ekonomike ose një shtëpi pushimi pranë detit.
Këto prona gjenden kryesisht në qytete si Durrësi, Vlora, Shkodra, Berati, por edhe në zona më të vogla në brendësi të vendit. Sipërfaqet zakonisht luhaten nga 30 deri në 65 metra katrorë, në varësi të vendndodhjes dhe gjendjes së objektit.
Apartamentet e thjeshta, nga garsonieret deri te njësitë me një dhomë gjumi në qytetet dytësore, kanë çmime që variojnë nga 35,000 deri në 50,000 euro (sipas të dhënave të shtatorit 2025). Në Durrës dhe Vlorë, këto prona zakonisht shiten në intervalin 35,000–50,000 euro, ndërsa në Shkodër mund të gjenden edhe më lirë, nga 30,000 deri në 45,000 euro. Ndërkohë, qytete si Berati dhe Elbasani ofrojnë alternativa edhe më ekonomike, me çmime që nisin nga 20,000 euro dhe arrijnë deri në 40,000 euro, duke qenë ideale për blerësit me buxhet të kufizuar.
Si shembuj konkretë mund të përmenden një garsoniere prej 37 m² në Vlorë me çmim 42,000 euro, si dhe apartamente 1+1 në Durrës që arrijnë deri në 50,000 euro.
Në përgjithësi, pronat më të vjetra ose ato që ndodhen larg qendrave urbane dhe zonave bregdetare janë më të lira, ndërsa banesat e rinovuara dhe në zona më qendrore kanë çmime më të larta.
Për ata që synojnë të përfitojnë maksimumin nga buxheti i tyre, zonat periferike dhe qytetet më të vogla si Fieri apo Golemi pranë Durrësit paraqesin mundësi shumë të mira.















