Nëse konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit zgjat edhe gjatë verës, industria ajrore mund të përballet me mungesë serioze të karburantit, duke çuar në anulime të fluturimeve dhe rritje të çmimeve. Paralajmërimi vjen nga drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, i cili flet për një situatë të pasigurt për muajt në vijim.
Në një intervistë për ITV News, O’Leary deklaroi se nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar edhe për dy deri në tre muaj, linjat ajrore mund të përballen me një “skenar të panjohur”. Sipas tij, deri në 5% deri në 10% e fluturimeve gjatë majit, qershorit dhe korrikut mund të anulohen.
Ai theksoi se kompanitë nuk do të kenë luksin të zgjedhin cilat fluturime të anulojnë, pasi gjithçka do të varet nga furnizimi me karburant në aeroporte. Vendimet do të merren në moment të fundit, në varësi të situatës reale në terren.
“Do të përpiqemi të mbajmë në tokë një ose dy avionë për të minimizuar ndikimin tek pasagjerët, por do të jetë shumë e vështirë,” u shpreh O’Leary, duke paralajmëruar një verë sfiduese për udhëtimet ajrore.
Ndërkohë, ai këshilloi që rezervimet për udhëtime të bëhen sa më herët, pasi çmimet pritet të rriten ndjeshëm. Rritja e çmimeve të karburantit të avionëve ka qenë më e shpejtë se ajo e benzinës, për shkak të bllokimit të një pjese të madhe të furnizimit global dhe kapaciteteve përpunuese.
Edhe në SHBA, situata po reflektohet në rritje të kostove. Aeroporte të mëdha si Chicago, Houston, Los Angeles dhe New York kanë parë çmime që arrijnë në rreth 4.88 dollarë për gallon, pothuajse dyfish nga periudha para konfliktit.
Si pasojë, disa kompani ajrore kanë nisur të rrisin tarifat shtesë, ndërsa United Airlines po përgatitet për një skenar të zgjatur krize, duke hartuar plane që përfshijnë uljen e kapaciteteve dhe përballjen me çmime të naftës që mund të arrijnë deri në 175 dollarë për fuçi.
Megjithatë, O’Leary minimizoi rrezikun për pasagjerët që rezervojnë tani, duke theksuar se shumica dërrmuese e fluturimeve do të realizohen. Sipas tij, rreth 90% deri në 95% e fluturimeve pritet të operojnë normalisht, ndërsa rreziku real është rritja e çmimeve nëse rezervimet vonohen.
Ai paralajmëroi gjithashtu se në rast anulimesh, rimbursimet mund të mos jenë të garantuara, pasi kompanitë mund të justifikohen me rrethana jashtë kontrollit të tyre. Megjithatë, për fluturimet brenda Evropës, pasagjerët kanë të drejtë për rirregullim të udhëtimit ose kthim në destinacion.
“Ne kemi shumë fluturime çdo ditë. Do t’i risistemojmë pasagjerët dhe do t’i çojmë në destinacion, edhe nëse duhet të presin një ose dy ditë,” tha O’Leary, duke shtuar se përveç krizës së karburantit, këtë verë mund të ketë edhe ndërprerje të tjera, si mungesat e kontrollorëve francezë të trafikut ajror. /skyweb.al
















