Çmimet e naftës në tregjet globale kanë shënuar një rënie të ndjeshme pas raportimeve për një armëpushim dhe sinjaleve nga Irani se Ngushtica e Hormuzit mund të rihapet, një pikë kyçe për qarkullimin e naftës në botë, raporton Reuters.
Nafta e tipit Brent pësoi një ulje prej mbi 13.5%, duke rënë në rreth 94 dollarë për fuçi, si reagim i menjëhershëm i tregjeve ndaj pritshmërive për stabilizim të furnizimit.
Megjithatë, analistët tregojnë se situata mbetet e pasigurt. Prodhimi në disa vende kryesore të Lindjes së Mesme është ndikuar nga tensionet e fundit dhe rikuperimi i plotë pritet të kërkojë kohë.
Gjithashtu, një faktor që po kufizon rënien më të madhe të çmimeve është mungesa e besimit të plotë të tregjeve ndaj deklaratave të fundit nga administrata e Donald Trump për përfundimin e konfliktit, pas një periudhe me mesazhe kontradiktore.
Edhe pse çmimet kanë rënë, ato mbeten dukshëm më të larta se përpara përshkallëzimit të situatës, kur nafta tregtohej rreth 72 dollarë për fuçi, ndërsa mesatarja e vitit të kaluar ishte rreth 69 dollarë.
Ndërkohë, tregjet financiare në Azi kanë reaguar pozitivisht, duke regjistruar rritje të ndjeshme. Indeksi KOSPI në Korenë e Jugut u rrit me rreth 7%, ndërsa Nikkei 225 në Japoni shënoi një rritje prej 5%. /skyweb.al















