Punimet në pjesën e parë të autostradës Tiranë-Durrës, deri në zonën e mbikalimit të Rinasit, pritet të përfundojnë brenda javës së parë të muajit maj, duke rikthyer qarkullimin e plotë në këtë aks të rëndësishëm.
Gjatë një inspektimi të zhvilluar këtë të enjte, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, u ndal te ecuria e punimeve dhe projektet që lidhen me këtë korridor rrugor.
“Brenda javës së parë të muajit maj ky lot i këtij segmenti do të hapet plotësisht. Ky aks ka rëndësinë e tij për lidhjen e portit të Durrësit me Morinën dhe për lidhjen mes Veriut me hyrjen në Tiranë por edhe sa i takon turizmit. Duhet të theksojmë që në këtë segment po punojmë me disa projekte të tjera si Bypassi i Tiranës dhe segmenti Kashar-Lekaj”, tha Karakaçi.
Sipas tij, puna po vijon paralelisht edhe në projekte të tjera të rëndësishme, si Bypassi i Tiranës dhe segmenti Kashar-Lekaj, të cilat synojnë përmirësimin e ndjeshëm të qarkullimit.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, bëri të ditur se punimet për Bypass-in e Tiranës janë ende në fazat fillestare, me rreth 20% të realizuara deri më tani. Ai shtoi se përfundimi i këtij projekti pritet të ndikojë ndjeshëm në shpërndarjen e trafikut dhe uljen e ngarkesës në hyrje të Tiranës.
Ndërkohë, ministri konfirmoi se do të vijojë puna edhe për zgjerimin e pjesëve të tjera të autostradës Tiranë–Durrës, si dhe për ndjekjen e procedurave të nevojshme për realizimin e tyre.















