Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime të rëndësishme në politikat sociale, me fokus te pensionet dhe mbështetja direkte për kategoritë më të ndjeshme. Në një bashkëbisedim me pensionistët e Njësisë nr. 2, ai theksoi se qeveria po hyn në një fazë të re, ku rritja ekonomike pritet të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët.
Sipas Ramës, deri më tani rritja e pensioneve ka qenë e kufizuar kryesisht në indeksim, ndërsa tani synohet një qasje tjetër. Ai bëri të ditur se nga janari i vitit të ardhshëm pensionistët do të përfitojnë rritje të drejtpërdrejta dhe të vazhdueshme çdo vit, me objektivin që pensionet të shumëfishohen deri në vitin 2030.
Kryeministri theksoi se kjo është bërë e mundur nga përmirësimi i situatës ekonomike, duke nënvizuar se për herë të parë ekzistojnë hapësirat financiare për të ndërhyrë realisht në skemën e pensioneve. Paralelisht, ai la të hapur mundësinë për ndryshime të tjera në sistem, përfshirë lehtësimin për pensionistët që duan të vazhdojnë të punojnë dhe trajtimin më të drejtë të personave me aftësi të kufizuara.
Një tjetër element i ri që pritet të zbatohet është mbështetja përmes një skeme të drejtpërdrejtë për blerjen e ushqimeve bazë. Rama bëri të ditur se qeveria po përgatit një model të ri, i cili do të bazohet te një kartë shpenzimesh për familjet në nevojë dhe pensionistët.
Kjo kartë do të përdoret për blerjen e produkteve të shportës bazë dhe jo për shpenzime të tjera. Sipas tij, synimi është që ndihma të shkojë drejtpërdrejt për artikujt jetikë dhe të shmanget përdorimi i saj për qëllime të tjera.
“Gjëja e parë që do mendojmë jeni ju, të tjerët vijnë pas”, u shpreh Rama, duke theksuar se pensionistët dhe familjet në ndihmë ekonomike do të jenë prioritet në shpërndarjen e mbështetjes.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur debati për nivelin e pensioneve dhe kostot e jetesës mbetet një nga çështjet kryesore sociale në vend, ndërsa qeveria po tenton të lidhë rritjen ekonomike me përmirësimin e drejtpërdrejtë të mirëqenies së qytetarëve. /skyweb.al
















