Një situatë kaotike është regjistruar në aeroportin e Linate në Milano, ku 122 pasagjerë humbën fluturimin drejt Manchester për shkak të vonesave të gjata në kontrollin kufitar.
Nga 156 persona të prenotuar në avionin e EasyJet, vetëm 34 arritën të hipnin në bord, ndërsa pjesa tjetër mbeti në radhë për orë të tëra.
Ngjarja nuk është e izoluar, por lidhet drejtpërdrejt me hyrjen në fuqi të sistemit të ri europian të kontrollit kufitar, Entry/Exit System (EES), i aktivizuar më 10 prill 2026 në 29 vende të zonës Schengen.
Sistemi i ri kërkon regjistrimin biometrik të qytetarëve jashtë BE-së, përmes gjurmëve të gishtave dhe imazhit të fytyrës, duke zëvendësuar vulat manuale në pasaportë.
Megjithëse projekti është shtyrë për katër vite, duket se ai nuk është përshtatur me flukset reale të pasagjerëve, sidomos në periudhat me trafik të lartë.
Organizatat kryesore të aviacionit në Europë, ACI Europe dhe Airlines for Europe, kanë reaguar ashpër duke e cilësuar nisjen e sistemit si të shoqëruar me vonesa, rradhë të gjata dhe fluturime të humbura.
Sipas Airlines for Europe, pritjet deri në tre orë në kontrollet kufitare nuk mund të konsiderohen si probleme të përkohshme, por si një dështim i vetë sistemit. Raste konkrete tregojnë edhe kostot e larta për pasagjerët, me familje që janë detyruar të paguajnë mbi 1,600 paund për të arritur destinacionin përmes rrugëve alternative, duke mbërritur me vonesa deri në 24 orë.
Nga ana e saj, EasyJet e ka cilësuar situatën si të papranueshme, duke theksuar se vonesat nuk varen nga kompania ajrore. Megjithatë, sipas rregullores europiane për të drejtat e pasagjerëve, kompanitë mbeten të ekspozuara ndaj detyrimeve për kompensim edhe kur shkaku është jashtë kontrollit të tyre.
Përballë kësaj situate, Airlines for Europe i ka bërë thirrje Komisionit Europian për pezullimin e plotë ose të pjesshëm të sistemit EES të paktën deri në përfundim të sezonit veror, ndërsa paralajmëron se situata mund të përkeqësohet me rritjen e fluksit turistik në javët në vijim. /skyweb.al















