Kryeministri Edi Rama ka paraqitur një tablo të ndikimeve të huaja dhe ideologjike pas protestave, duke përmendur Antifa-n, Rusinë, Iranin, analistët dhe ndikimin e TikTok-ut te të rinjtë. Në një fjalim të gjatë përpara punonjësve të policisë, ai i lidhi trazirat me forca që, sipas tij, kundërshtojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Pasi u premtoi efektivëve shpërblim dhe rritje pagash, Rama u përqendrua te studentët dhe arsyet që, sipas tij, i kanë shtyrë drejt revoltës. Ai i përshkroi si të verbuar dhe pengje të një fryme ideologjike që synon shkatërrimin.
Kryeministri pretendoi se Shqipëria është bërë shënjestër e një sulmi nga Antifa, të cilën e cilësoi një “forcë të verbër”. Në mbështetje të këtij argumenti, ai iu referua edhe presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se ky i fundit e ka shpallur Antifa-n organizatë terroriste.
Në të njëjtin fjalim, Rama përmendi Rusinë dhe Iranin si vende që, sipas tij, nuk duan një Shqipëri europiane. Kështu, shpjegimin për protestat ai e shtriu përtej pakënaqësive brenda vendit, duke e lidhur edhe me interesa ndërkombëtare.
Pjesë e kritikave të kryeministrit ishin edhe influencerët në TikTok. Sipas tij, ata ndikojnë negativisht te të rinjtë duke u paraqitur një mënyrë jetese që nuk pasqyron realitetin dhe duke ushqyer pritshmëri të rreme.
Përballë kësaj tabloje, Rama u kërkoi policëve unitet dhe këmbëngulje, ndërsa njoftoi 2500 euro shpërblim për çdo efektiv “në front”, me të njëjtën shumë për të gjithë.
“E vendosëm kështu, për të mos bërë asnjë diferencë. Jeni një, dhe një për të gjithë. Shteti do ta fitojë këtë betejë”, deklaroi ai.
Kryeministri premtoi gjithashtu një rritje të konsiderueshme të pagave nga 1 janari, përmes buxhetit të ri, duke pranuar se gjatë viteve pagat e policëve nuk janë rritur aq sa duhej. /skyweb.al















