Deputeti i Partisë Socialiste, Arbian Mazniku, deklaroi në emisionin “Opinion” se kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen përballë protestave studentore dhe qytetare.
Sipas tij, Rama ushtron mandatin e Partisë Socialiste, të mbështetur nga 800 mijë votues, dhe ka si objektiv integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Nuk ka ndërmend. Nuk ka një mandat personal, ushtron mandatin e PS-së me 800 mijë vota. Është me një objektiv të caktuar për integrimin e Shqipërisë në BE dhe ka marrëveshje me shqiptarët”, u shpreh Mazniku.
I pyetur për ndikimin e protestave te qeveria, deputeti socialist tha se mazhoranca duhet të dëgjojë qytetarët, të reagojë dhe të ndryshojë politika, duke i qëndruar besnike agjendës së saj kryesore.
Ai e krahasoi situatën në Shqipëri me protestat në disa vende europiane, duke përmendur Francën, Portugalinë dhe Spanjën, ku, sipas tij, ka tubime edhe më të mëdha.
Mazniku komentoi edhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve. Ai tha se policia ka detyrimin të mbrojë të drejtën e protestës, por edhe të përdorë forcë proporcionale kur përballet me dhunë.
Deputeti socialist mbrojti reagimin e forcave të rendit, duke e cilësuar atë më të përmbajtur se ndërhyrjet policore në protestat në Itali dhe Francë.
Megjithatë, ai shtoi se rastet kur tejkalohen kompetencat duhet të ndiqen dhe të shoqërohen me masat përkatëse.
“Nëse ka tejkalim, duhet ndjekur dhe të merren masat respektive”, deklaroi Mazniku.















