Tabela STOP, trekëndëshi që paralajmëron rrezik apo rrethi që përcakton kufirin e shpejtësisë janë pjesë e një gjuhe të përbashkët që kuptohet nga miliona drejtues automjetesh.
Por në fund të shekullit XIX, kur makinat e para nisën të qarkullonin në Europë, situata ishte krejt ndryshe.
Çdo shtet, madje shpesh edhe çdo rajon, përdorte tabela dhe simbole të ndryshme. Shenjat e para tregonin kryesisht drejtimet dhe distancat, ndërsa më vonë nisën të paralajmëronin kthesat e rrezikshme, kryqëzimet dhe pengesat.
Nisma e parë e rëndësishme ndërkombëtare u ndërmor në vitin 1909 në Paris, ku u nënshkrua një marrëveshje që përcaktonte katër tabela të përbashkëta paralajmëruese.
Ato sinjalizonin kthesat e rrezikshme, kryqëzimet, rrugët e pabarabarta dhe kalimet hekurudhore.
Në vitin 1926, një marrëveshje tjetër në Paris e zgjeroi sistemin, ndërsa në vitin 1931, në Gjenevë, u miratua një konventë e re për unifikimin e sinjalistikës.
Megjithatë, momenti vendimtar erdhi më 8 nëntor 1968, me miratimin e Konventës së Vjenës për Shenjat dhe Sinjalet Rrugore, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara.
Konventa, që hyri në fuqi në vitin 1978, vendosi bazat e sistemit modern të sinjalistikës që përdoret sot në pjesën më të madhe të Europës.
Sipas këtij sistemi, tabelat trekëndore zakonisht paralajmërojnë rreziqe, ato rrethore tregojnë ndalime ose detyrime, ndërsa tabelat katrore dhe drejtkëndore japin informacione dhe udhëzime.
Një shembull interesant është tabela STOP, forma tetëkëndore e së cilës është zgjedhur që të dallohet lehtësisht edhe nga pjesa e pasme apo kur mbishkrimi nuk lexohet.
Megjithatë, sinjalistika rrugore nuk është plotësisht e njëjtë në të gjithë botën.
Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, tabelat paralajmëruese janë shpesh në formë rombi me ngjyrë të verdhë, ndryshe nga trekëndëshat me bordurë të kuqe që përdoren zakonisht në Europë.
Pavarësisht këtyre dallimeve, marrëveshjet ndërkombëtare kanë krijuar një gjuhë pothuajse universale të komunikimit rrugor.
Falë tyre, sot një drejtues automjeti mund të kuptojë kur duhet të ndalojë, të ulë shpejtësinë apo të ndryshojë drejtim edhe në një vend ku nuk njeh gjuhën.
















