Qytetarët që zotërojnë automjete të dala jashtë përdorimit do të mund t’i dorëzojnë ato pa pagesë për shkatërrim dhe riciklim. Kjo parashikohet në një projektvendim të përgatitur nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili përcakton rregulla të reja për trajtimin e automjeteve në fund të jetës së tyre.
Sipas projektvendimit, kostot e funksionimit të sistemit do të përballohen tërësisht ose pjesërisht nga kompanitë që prodhojnë apo importojnë automjete për tregtim në Shqipëri. Detyrimi synon të garantojë trajtimin dhe riciklimin e mjeteve jashtë përdorimit, pa rënduar financiarisht pronarët e tyre.
Dokumenti përcakton se operatorët e autorizuar duhet t’i marrin në dorëzim automjetet pa asnjë kosto për pronarin e fundit, edhe në rastet kur ato nuk kanë më vlerë tregu ose kur vlera e tyre është negative.
Megjithatë, parashikohen dy përjashtime nga ky rregull. Pagesa mund t’i kërkohet pronarit nëse automjetit i mungojnë pjesët kryesore, si motori ose karroceria, apo nëse brenda tij janë vendosur mbetje që nuk i përkasin automjetit.
Projektvendimi përcakton gjithashtu përgjegjësitë financiare të subjekteve që operojnë në këtë sektor. Në dokument, termi “prodhues” përfshin jo vetëm kompanitë që prodhojnë automjete, por edhe importuesit profesionistë që i sjellin ato në Shqipëri.
Ndërkohë, për individët që importojnë automjete për përdorim personal, projektvendimi nuk parashikon një tarifë të re për financimin e sistemit të riciklimit.
Nismë synon të rregullojë procesin e grumbullimit, çmontimit dhe riciklimit të automjeteve jashtë përdorimit, duke përcaktuar qartë detyrimet e bizneseve dhe të drejtat e qytetarëve. Rregullat e reja lidhen edhe me procedurat për çregjistrimin përfundimtar të këtyre mjeteve.
















