Shqipëria vijon të regjistrojë rritje të numrit të shtetasve të huaj që hyjnë në territorin e saj, duke konfirmuar një tjetër vit me fluks të lartë vizitorësh, ndërsa të dhënat e shtatorit tregojnë se ritmi i rritjes është më i moderuar krahasuar me ecurinë e përgjithshme të nëntëmujorit.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë periudhës janar–shtator 2026 janë regjistruar 10,730,391 hyrje të shtetasve të huaj në Shqipëri, ose 4.9% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në nëntë muajt e parë të vitit 2025 ishin regjistruar 10,228,686 hyrje të të huajve, çka do të thotë se këtë vit janë shënuar rreth 502 mijë hyrje më shumë.
Vetëm gjatë shtatorit, në Shqipëri kanë hyrë 1,286,691 shtetas të huaj, nga 1,259,684 që ishin regjistruar në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rritja prej 2.1% tregon se fluksi i të huajve ka vijuar të jetë pozitiv edhe pas përfundimit të muajve kryesorë të sezonit veror, megjithëse me një ritëm më të ulët sesa mesatarja e nëntëmujorit.
Shtatori mbetet një muaj i rëndësishëm për turizmin shqiptar, pasi një pjesë e vizitorëve të huaj zgjedhin këtë periudhë për të udhëtuar drejt Shqipërisë, veçanërisht për shkak të temperaturave më të favorshme dhe përfundimit të pikut të sezonit turistik.
Megjithatë, statistikat e INSTAT përfshijnë të gjitha hyrjet e shtetasve të huaj dhe jo vetëm udhëtimet për qëllime turistike. Për rrjedhojë, shifrat nuk mund të interpretohen si numër i saktë turistësh.
Ndërkohë, gjatë shtatorit janë regjistruar 1,317,259 dalje të shtetasve të huaj nga territori shqiptar, me një rënie prej 2.8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.
Në total, gjatë nëntëmujorit janë regjistruar 10,643,448 dalje të të huajve, ose 4.7% më shumë se një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria vijon të ketë një qarkullim të lartë ndërkufitar, ndërsa rritja e hyrjeve të të huajve është një tregues pozitiv për aktivitetet ekonomike që lidhen me udhëtimet, akomodimin, transportin dhe shërbimet.
Megjithatë, një element që bie në sy në publikimin e fundit është njoftimi i INSTAT për disa mospërputhje në statistikat e detajuara të lëvizjes së shtetasve.
Institucioni sqaron se gjatë kontrollit dhe validimit të informacionit të marrë nga burimi administrativ janë identifikuar mospërputhje në tregues të caktuar.
Për këtë arsye, të dhënat e shtatorit janë publikuar përkohësisht vetëm në nivel të agreguar, pa ndarjet më të hollësishme që zakonisht shoqërojnë statistikat e lëvizjeve kufitare. /skyweb.al
















