Qeveria propozon ta përgjysmojë xhiron vjetore që detyron një biznes të regjistrohet në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Kufiri synohet të zbresë nga 10 milionë në 5 milionë lekë, duke zgjeruar numrin e subjekteve që do të kenë detyrimin e regjistrimit nga 1 janari 2027.
Ndryshimi është pjesë e paketës së re fiskale dhe, sipas përllogaritjeve në relacionin shoqërues, do të përfshinte në skemë edhe 17.516 tatimpagues.
Për bizneset që preken, ndryshimi kryesor është kalimi nga mundësia për të zgjedhur regjistrimin në një detyrim ligjor. Aktualisht, subjektet me qarkullim mbi 5 milionë lekë mund të regjistrohen vullnetarisht në TVSH, sipas kushteve të legjislacionit, ndërsa regjistrimi i detyrueshëm lidhet me pragun prej 10 milionë lekësh.
Nëse propozimi miratohet, bizneset që kalojnë kufirin e ri prej 5 milionë lekësh nuk do ta kenë më këtë zgjedhje. Kufiri mat qarkullimin vjetor, pra xhiron e aktivitetit, dhe jo fitimin që mbetet pasi zbriten shpenzimet.
Nga zgjerimi i skemës, qeveria pret rreth 4,5 miliardë lekë të ardhura shtesë nga TVSH-ja. Kjo shifër paraqitet në relacion si efekt i pritshëm i miratimit dhe zbatimit të ndryshimit.
Argumenti i paraqitur për uljen e pragut është se më shumë biznese brenda skemës do të ndihmonin në formalizimin e transaksioneve dhe zgjerimin e bazës së tatimpaguesve.
Sipas relacionit, përfshirja e një numri më të madh subjektesh synon ta bëjë më të plotë zinxhirin e deklarimit të shitjeve dhe blerjeve të mallrave e shërbimeve.
Qeveria e mbështet propozimin edhe te krahasimi me rajonin dhe disa vende të Bashkimit Europian. Në dokument argumentohet se kufiri aktual shqiptar prej 10 milionë lekësh është ndjeshëm më i lartë se pragjet e regjistrimit të aplikuara në vendet e marra në krahasim.
Nga ana tjetër, hartuesit shpjegojnë se kufiri prej 5 milionë lekësh është zgjedhur për të mbajtur jashtë regjistrimit të detyrueshëm pjesën më të vogël të aktiviteteve, kryesisht biznese familjare dhe subjekte me vetëm një të vetëpunësuar.
Pragu i përgjithshëm prej 10 milionë lekësh zbatohet që nga janari 2021. Projektvendimi i ri ndërhyn pikërisht në dispozitën që përcakton këtë kufi, duke e zëvendësuar me shumën 5 milionë lekë qarkullim në një vit kalendarik.
Ndryshimi propozohet përmes rishikimit të vendimit nr. 953, datë 29 dhjetor 2014, që përmban dispozitat zbatuese të ligjit për TVSH-në.
Projektvendimi parashikon hyrjen në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa zbatimin e efekteve nga 1 janari 2027. Deri në miratimin e tij, përgjysmimi i pragut mbetet propozim. /skyweb.al















