• Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Kush jemi ne
  • Terms and conditions
  • Privacy Policy
E premte, 23 Janar, 2026
  • Hyr
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
Kreu Kryesore

MASHTRIMI/ Intervista të trilluara dhe faqe të klonuara, biznesi miliona euro i suplementeve online

SkyWeb Nga SkyWeb
19 Janar, 2026
në Kryesore, Shëndet
A A
0
MASHTRIMI/ Intervista të trilluara dhe faqe të klonuara, biznesi miliona euro i suplementeve online
Share on FacebookShare on WhatsApp

Një postim në Facebook, që i atribuohet mjekut Ilir Alimehmeti, endokrinolog dhe këshilltar bashkiak në Tiranë, paralajmëron se “9 nga 10 njerëz janë të infektuar me parazitë”, ndërsa premton një recetë “shtëpiake” që do t’i çlirojë pacientët nga “deri në dy kilogramë krimba brenda natës”.

Një klikim mbi postimin e çon lexuesin në një faqe që paraqitet si portali i lajmeve Neësbomb.al, ku publikohet ajo që duket si një intervistë me Alimehmetin. Në tekst, mjeku citohet duke promovuar një preparat të quajtur “Germostop”, i cili pretendohet se pastron trupin nga parazitët dhe zgjidh një sërë problemesh shëndetësore.

Në fund të artikullit shfaqet një element interaktiv në formën e një rulete. Duke e rrotulluar atë, përdoruesve u ofrohet një ulje prej 50 për qind në çmimin e produktit, e shoqëruar me një formular porosie dhe një numërues kohor që u jep vetëm dhjetë minuta për të përfunduar blerjen.

E parë me kujdes, faqja rezulton të jetë një klon i portalit origjinal dhe intervista duket e rreme. Megjithatë, nëse plotësohet formulari me të dhënat personale, porosia bëhet reale. Pak minuta pasi ajo dërgohet, një specialiste produkti telefonon për të finalizuar shitjen e preparatit, duke premtuar efikasitet ndaj një liste të gjatë simptomash.

Klonimi i faqes së një medie, teksti që nxit alarm si dhe keqpërdorimi i imazhit të një mjeku të njohur, pasqyrojnë një model të njohur marketingu mashtrues në internet.

Por “Germostop” është vetëm maja e ajsbergut.

Nëpërmjet metodave kërkimore të hapura (OSINT), BIRN zbuloi se në rrjetet sociale dhe në internet reklamohen një duzinë suplementesh të ngjashme çudibërëse – për shëndetin, potencën seksuale apo humbjen e peshës së tepërt.

Pas këtyre suplementeve duket se qëndron një kompani nga Bosnje dhe Hercegovina e quajtur “MonetizeAd d.o.o – Limited Charm”, e cila ka një degë në Tiranë dhe ka fituar një reputacion famëkeq në rajon.

Mjekët dhe personazhet publike të cilëve u është keqpërdorur emri dhe imazhi për të promovuar shitjen e këtyre suplementeve bimore, paralajmërojnë se dëmi është i shumëfishtë.

Dr. Alimehmeti i tha BIRN se reklama e “Germostop” është e rrezikshme, pasi i largon pacientët nga trajtimi mjekësor i bazuar në evidenca dhe protokolle, ndërsa i shtyn ata ta zëvendësojnë atë me preparate të panjohura, për të cilat nuk ka asnjë garanci nëse janë të dëmshme apo të padëmshme.

“Vetë fakti që nuk merret leje për përdorimin e emrit dhe fotos së mjekëve tregon mashtrimin që u kryhet qytetarëve vetëm e vetëm për të përfituar para në rrugë të errëta dhe në kurriz të shëndetit të tyre”, tha ai.

“Qëllimi i tyre është vetëm përfitimi financiar dhe ata shkaktojnë edhe dëm të qartë ekonomik për qytetarët, në kurriz të jetës dhe shëndetit”, shtoi Alimehmeti, ndërsa i këshilloi qytetarët të mos i marrin fare në konsideratë këto produkte, madje t’i raportojnë menjëherë te autoritetet si mashtrime për zhvatjen e parave.

E pyetur nga BIRN nëpërmjet email-it, kompania MonetizeAd nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Keqpërdorimi imazhit

Dr. Ilir Alimehmeti nuk është figura e vetme publike, imazhi i të cilit është keqpërdorur në fushata mashtruese reklamash për suplemente bimore. Një prej tyre është edhe mjeku infeksionist Arjan Harxhi.

Ai thekson se këto reklama janë në shkelje të ligjit, pasi bëhen pa pëlqimin e tij dhe duke mashtruar publikun përmes përdorimit të imazhit.

“Organet përkatëse të zbatimit të ligjit duhet t’i identifikojnë dhe dënojnë autorët”, shprehet Harxhi.

Edhe mjekja infeksioniste Monika Dede e ka gjetur veten në një prej këtyre faqeve, ku pretendohej se ajo reklamonte një produkt për trajtimin e parazitëve.

“Mendoj se ekziston rreziku që qytetarët të mashtrohen dhe të përdorin këto preparate, duke qenë se i rekomandon një mjek,” tha Dede.

“Pasojat mund të jenë të rrezikshme, duke qenë se janë preparate të pakontrolluara dhe të pamiratuara nga Agjencia e Barnave, pasi mund të përmbajnë lëndë të rrezikshme për trupin e njeriut”, shtoi ajo.

Viktima të reklamave mashtruese në rrjete sociale nuk kanë qenë vetëm mjekët. Edhe gazetarja Iva Tiço ka pasur të njëjtin fat.

Një profil i rremë, që ka përdorur emrin dhe fotografinë e saj, ka shpërndarë në Facebook reklama për një produkt dobësimi të quajtur “Metafix”.

Sipas gazetares, këto postime, përveç rreziqeve shëndetësore që mund të sjellin për qytetarët, krijojnë edhe një gjuhë urrejtjeje ndaj figurave publike.

“Bëhej fjalë për një mashtrim për të përdorur kartën e kreditit; me foton time pretendohej se do të blinin një kurë magjike që zgjidhte problemet e tretjes dhe reduktonte dhjamin e barkut,” tregon Tiço.

Iva Tiço shprehet se është detyruar të reagojë për rastin, por kjo nuk i ka ndalur fyerjet në drejtim të saj.

“Po, kam marrë të shara dhe mallkime,” tha ajo. “Edhe pse në një rast bëra një koment sqarues, ku i paralajmërova se ishte mashtrim, komentet vijuan me mallkime edhe poshtë sqarimit tim”, shtoi Tiço.

Kush qëndron pas?

Duke përdorur një metodë të thjeshtë hulumtuese të njohur si “image reverse search”, BIRN zbuloi një duzinë faqesh në rrjete sociale dhe internet, që reklamojnë suplementin “Germostop” dhe “Metafix”, si dhe preparate të ngjashme.

Një prej tyre, e quajtur Produkt Shqip, deklaron se është një platformë tregtare e regjistruar në qytetin e Burrelit. Por kur gazetarët e BIRN porositën një produkt, një çaj bimor të quajtur “Parazol” që reklamohet si anti-parazitar, u telefonuan nga një operator, i cili tha se gjendej në Tiranë dhe punonte për kompaninë “Limited Charm”.

Kjo e fundit është një markë tregtare e kompanisë “MonetizeAd d.o.o.”. Ndryshe nga ProduktShqip, faqja kryesore e kompanisë është më e kujdesshme në mënyrën e përshkrimit të preparateve, duke i cilësuar ato thjesht si suplemente “që synojnë forcimin e sistemit imunitar, balancimin e metabolizmit dhe përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm të trupit”.

Kjo nuk është hera e parë që kjo kompani lidhet me reklama ose faqe interneti që mbivlerësojnë aftësitë e suplementeve të saj. Një duzinë mediash dhe organizatash për kontrollin e fakteve në rajon kanë vite që raportojnë probleme të ngjashme.

“Gjatë viteve 2024 dhe 2025, kemi pasur dhjetëra video dhe postime të rreme që promovonin produkte shëndetësore të palicencuara,” tha Luljeta Beselica, gazetare e Kallxo.com në Kosovë.

Taktika të ndryshme manipulimi të qytetarëve përdoren edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, konfirmon Marija Ćosić, gazetare dhe verifikuese e fakteve në Raskrinkavanje.ba.

“Në disa raste, ‘rekomandime’ për çajra ose suplemente me efekte mjekësore të paprovuara vijnë nga mjekë dhe studiues të trilluar,” tha ajo.

“Në raste të tjera, rekomandime të rreme u atribuohen mjekëve të vërtetë dhe të njohur ose fytyrave të tjera publike, si këngëtarë ose aktorë të famshëm,” shtoi ajo.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se kjo kompani ka regjistruar edhe një degë në Shqipëri në qershor të vitit 2020, si subjekt me emrin: “Monetize Ad d.o.o. Sarajevo Limited Charm”.

Fusha e veprimtarisë së saj përshkruhet si: “shërbime në marketingun e internetit dhe shpërndarjen e produkteve sipas modelit COD (cash on delivery)”.

Referuar të dhënave nga QKB-ja, përfaqësuesi i huaj ligjor i kësaj kompanie është Ajdin Brković, një qytetar boshnjak.

Ky i fundit raportohet se është kallëzuar penalisht në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 2024, pasi dyshohet se ka kryer vepra penale të mashtrimit, keqinformimit të konsumatorëve dhe përdorimit të paautorizuar të të dhënave personale.

Në Shqipëri, aktiviteti i tij duket se ka korrur sukses në vitet e fundit. Pasqyrat financiare të kompanisë tregojnë se në vitin 2024, të ardhurat e saj ishin 140 milionë lekë, me një fitim prej 37 milionë lekësh.

Prokuroria e Tiranës i tha BIRN se ndaj kësaj kompanie është regjistruar një kallëzim penal në vitin 2025.

“Nga verifikimi i kryer rezulton se, mbi bazën e materialit të ardhur për kompetencë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, është regjistruar kallëzimi penal nr. 16356 i vitit 2025”, tha organi i akuzës në kryeqytet nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

“Çështja është ende në fazën e verifikimeve,” shtoi Prokuroria e Tiranës.

Mbikëqyrja e tregut

Edhe pse miliona euro suplemente bimore janë shitur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, ndikimi i tyre në shëndetin publik mbetet i paqartë. Institucionet publike raportojnë për pak raste të konstatuara.

Policia e Shtetit bën të ditur se gjatë vitit 2025 janë konstatuar dy raste të shitjes online të preparateve që reklamohen fiktivisht si barna mjekësorë, me dy shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë, në Berat dhe në Shkodër.

Më tej, ky institucion shton se monitoron në mënyrë të vazhdueshme të gjitha llogaritë që reklamojnë produkte të rrezikshme për shëndetin.

“Për çdo rast të konstatuar në këtë fushë, qytetarët mund të paraqiten vetë për të denoncuar te strukturat e Policisë, ose nëpërmjet mënyrave zyrtare të komunikimit”, apelon Policia e Shtetit.

Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Ushqimit thekson se gjatë vitit të fundit nuk janë regjistruar denoncime që lidhen me suplemente apo preparate që pretendojnë efekt mjekësor.

“Gjatë monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe platformave online, AKU nuk ka evidentuar raste të njoftuara zyrtarisht për preparate apo suplemente ushqimore të paautorizuara”, tha AKU, ndërsa shtoi se vijon monitorimin e këtij segmenti.

“Fokus i posaçëm i këtij monitorimi mbetet shmangia e reklamimit të pasaktë ose të pajustifikuar të produkteve që mund të ngatërrohen me produkte me efekt mjekësor”, shtoi Agjencia.

AKU sqaroi gjithashtu se suplementet që nuk merren me qëllim përfitimin e elementeve ushqyese të tyre, por konsumohen si ingredientë për qëllime të performancës fiziologjike, janë objekt monitorimi dhe inspektimi nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM).

Nga ana e saj, AKBPM argumenton se shtesat ushqimore që importohen dhe vendosen në treg nuk janë në fushën e veprimit të saj. Ndërkohë, asnjë prej institucioneve nuk merr përgjegjësinë për këto produkte që shiten online.

Të pyetur nëpërmjet një kërkese për informacion nëse ka pasur raste pacientësh që janë paraqitur me komplikacione nga këto preparate, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë nuk raportoi probleme.

“Nga informacionet e grumbulluara nga shërbimet e Okulistikës, Kardiologjisë, Endokrinologjisë dhe Onkologjisë në QSUT, nuk rezulton të jenë paraqitur pacientë që kanë referuar trajtim me medikamente online”, tha institucioni.

Megjithatë, mjekët bëjnë thirrje që pacientët t’i shmangin këto suplemente.

“Produktet që reklamohen mund të jenë të pacertifikuara ose të paregjistruara sipas legjislacionit në fuqi dhe, si të tilla, mund të përbëjnë rrezik për personat që i përdorin”, argumenton doktor Arjan Harxhi.

“Çdo preparat me indikacion për mjekimin e sëmundjeve të ndryshme duhet të përshkruhet drejtpërdrejt nga mjeku, sipas udhëzimeve të tij”, shtoi ai.

Edhe mjekja Monika Dede i këshillon qytetarët që të shmangin përdorimin.

“Do t’u rekomandoja të mos i besojnë dhe të mos përdorin asnjë preparat të rekomanduar online nga faqe të panjohura, edhe pse mund të shfaqet figura e një mjeku, qoftë edhe shumë i njohur, që i rekomandon”, përfundoi ajo. /Reporter.al

Artikulli para

Rihapet sot për qarkullim rruga Qukës-Qafë Plloçë

Artikulli pas

HARTA/ Cilët janë fshatrat më të shtrenjtë në vend, çmimet fiskale për secilin

SkyWeb

SkyWeb

Nga Kategoria

HAP PAS HAPI/ Si do të plotësohet DIVA për herë të parë për të përfituar kompensimin për fëmijët
Aktualitet

HAP PAS HAPI/ Si do të plotësohet DIVA për herë të parë për të përfituar kompensimin për fëmijët

23 Janar, 2026
Pezullimi i Ballukut, Baton Haxhiu thotë se GJKKO bëri sot një “grusht shteti pa tanke”
Aktualitet

Juristi i njohur: SPAK dështoi në argumentimin Kushtetues për Ballukun

23 Janar, 2026
Studimi zbulon rolin e gjeneve në abortet spontane
Shëndet

Studimi zbulon rolin e gjeneve në abortet spontane

23 Janar, 2026
Standarde të reja për hotelet dhe bujtinat, miratohet rregullorja e kategorizimit
Kryesore

Standarde të reja për hotelet dhe bujtinat, miratohet rregullorja e kategorizimit

23 Janar, 2026
AKU tërheq nga tregu qumështin formulë me baktere
Aktualitet

AKU tërheq nga tregu qumështin formulë me baktere

23 Janar, 2026
Lloji më i rrallë i gjakut në botë që shkencëtarët po përpiqen ta krijojnë në laborator
Shëndet

Lloji më i rrallë i gjakut në botë që shkencëtarët po përpiqen ta krijojnë në laborator

23 Janar, 2026
Artikulli pas
HARTA/ Cilët janë fshatrat më të shtrenjtë në vend, çmimet fiskale për secilin

HARTA/ Cilët janë fshatrat më të shtrenjtë në vend, çmimet fiskale për secilin

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Përzgjedhura

OBSH paralajmëron probleme serioze në Europë prej super gripit
Aktualitet

OBSH paralajmëron probleme serioze në Europë prej super gripit

Nga SkyWeb
18 Dhjetor, 2025
0

Një rritje e ndjeshme e rasteve të gripit, e nxitur nga një nënvariant i ri dominues i virusit, po përfshin...

Lexo të plotë
VROJTIMI/ BSH pret ecuri pozitive në tregun e pasurive të paluajtshme

VROJTIMI/ BSH pret ecuri pozitive në tregun e pasurive të paluajtshme

30 Maj, 2025
Tirana renditet mes 10 destinacioneve “më të nxehta” të 2026 nga revista Time Out

Tirana renditet mes 10 destinacioneve “më të nxehta” të 2026 nga revista Time Out

19 Gusht, 2025
Në Shqipëri ka më shumë shtëpi për frymë se mesatarja e Europës, por çmimet dhe qiratë e apartamenteve janë tepë të lata

Në Shqipëri ka më shumë shtëpi për frymë se mesatarja e Europës, por çmimet dhe qiratë e apartamenteve janë tepë të lata

22 Nëntor, 2025
Jo vetëm SPAK, Olsian Çela rifreskon përgjuesit: Shpallet tenderi 660 mijë euro

Jo vetëm SPAK, Olsian Çela rifreskon përgjuesit: Shpallet tenderi 660 mijë euro

15 Prill, 2025

Të Fundit

Gjykata e Lartë rrëzon biznesmenin Gentian Sula për “apartamentin e fshehur” të Veliajt: Mbetet nën sekuestro

Gjykata e Lartë rrëzon biznesmenin Gentian Sula për “apartamentin e fshehur” të Veliajt: Mbetet nën sekuestro

23 Janar, 2026
HAP PAS HAPI/ Si do të plotësohet DIVA për herë të parë për të përfituar kompensimin për fëmijët

HAP PAS HAPI/ Si do të plotësohet DIVA për herë të parë për të përfituar kompensimin për fëmijët

23 Janar, 2026
Autoriteti i Konkurrencës miraton rregullore të re për marrëveshjet e specializimit

Autoriteti i Konkurrencës miraton rregullore të re për marrëveshjet e specializimit

23 Janar, 2026
Jo vetëm paga e lartë dhe pasioni, kjo është një tjetër arsye e fortë që i mban pilotët në industrinë e aviacionit civil

Jo vetëm paga e lartë dhe pasioni, kjo është një tjetër arsye e fortë që i mban pilotët në industrinë e aviacionit civil

23 Janar, 2026
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Kush jemi ne
  • Terms and conditions
  • Privacy Policy

© 2026 SkyWeb.al - Zhvilluar nga E/Digital Studio

Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED

© 2026 SkyWeb.al - Zhvilluar nga E/Digital Studio

Mirësevini!

Hyni në llogarinë tuaj.

Keni harruar fjalëkalimin?

Riktheni fjalëkalimin

Ju lutem shkruani username ose email

Hyr