Në raportin e sapopublikuar të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2025 të Transparency International, Shqipëria vijon të renditet nën mesataren globale, duke u vlerësuar me 39 pikë. Krahasuar me vitin 2024, vendi ka shënuar regres të dukshëm: ka rënë me 11 vende në renditje, nga vendi i 80-të në vendin e 91-të, dhe ka humbur 3 pikë, pasi një vit më parë ishte vlerësuar me 42 pikë.
Sipas raportit, ndër faktorët kryesorë që ndikojnë negativisht në perceptimin e korrupsionit renditen dobësia institucionale, presioni ndaj gjyqësorit dhe mungesa e transparencës në procedurat e prokurimit publik.
Ky përkeqësim i perceptimit shoqërohet me zhvillime shqetësuese në diskursin politik. Ndërsa perceptimi i korrupsionit përkeqësohet, qeveria dhe veçanërisht Kryeministri Edi Rama kanë intensifikuar retorikën dhe sulmet publike ndaj institucioneve të drejtësisë, në veçanti ndaj SPAK dhe GJKKO. Kryeministri ka paralajmëruar ndryshime ligjore me qëllim ndalimin e zbatimit të masave të sigurisë ndaj zv/Kryeministres Belinda Balluku, duke argumentuar se këto masa përbëjnë ndërhyrje në funksionet kushtetuese të institucioneve të tjera vendimmarrëse, përfshirë kompetencat e tij në emërimin dhe funksionimin e kabinetit qeveritar.
Në deklarimet publike, Rama ka theksuar se funksionet kushtetuese të padelegueshme nuk mund të pezullohen mbi bazën e rasteve individuale, duke iu referuar masave të kërkuara nga SPAK dhe të miratuara nga GJKKO ndaj Ballukut, masa që përfshijnë nga pezullimi i ushtrimit të funksioneve qeveritare, deri te kërkesa për heqjen e imunitetit parlamentar për të mundësuar zbatimin e masave të sigurimit personal.
Pas vitesh të tëra në të cilat Kryeministri Rama është vetëpozicionuar si iniciator dhe mbështetës i reformës në drejtësi, ashpërsimi i fundit i retorikës ndaj institucioneve të reja të drejtësisë dhe paralajmërimet për rishikimin e reformës vlerësohen gjerësisht si presion i hapur ndaj organive të drejtësisë dhe si rrezik real për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Shoqëria civile, partitë e opozitës dhe ekspertë të pavarur kanë ngritur alarmin se, nëse këto paralajmërime shndërrohen në veprime konkrete, ato do të përbënin hapa pas në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe cënim të pavarësisë së organeve të drejtësisë.
Që prej vitit 2024, SPAK ka hapur një sërë çështjesh të konsideruara të nxehta, dosje me akuza për korrupsion ndaj funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë. Ndër rastet më të bujshme janë ajo e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, aktualisht në arrati, ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe kryetarit në detyrë i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ku këta të fundit po përballen me akuzat në paraburgim, dhe rasti i fundit ku ‘goditja’ e SPAK ka prekur nivelin më të lartë në hiherarkinë e pushtetit, dosja ndaj zv/kryeministres Balluku një pjesë e të cilës u bë publike në fund të vitit 2025.
Ndryshe nga rastet e mëparshme, për të cilat Kryeministri ka deklaruar publikisht se nuk ka ndërhyrë apo penguar veprimtarinë e organeve të drejtësisë, në rastin e zv/kryeministres së tij është konstatuar një reagim i drejtpërdrejtë dhe frontal ndaj institucioneve të drejtësisë, reagim në të cilin janë përfshirë edhe eksponentë të tjerë të lartë të mazhorancës në pushtet, përmes deklaratave politike dhe paralajmërimeve për ndryshime ligjore.
Këto zhvillime kanë sjellë reagimet e para shqetësuese nga komuniteti europian, i cili ka theksuar rëndësinë e respektimit të pavarësisë së drejtësisë dhe mosndërhyrjes politike si parakushte themelore për shtetin e së drejtës dhe procesin e integrimit europian. Përtej pasojave institucionale dhe politike, ky klimë tensioni dhe presioni ndaj organeve të drejtësisë pritet të përkeqësojë më tej perceptimin e korrupsionit, duke ndikuar negativisht edhe në vlerësimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2026 dhe duke rrezikuar një rënie të mëtejshme të pozicionit të Shqipërisë në renditjen globale të CPI-së.
Kur lufta kundër korrupsionit nuk mjafton: rasti i shëndetësisë
Lufta kundër korrupsionit ka sjellë rastet e para konkrete hetimore, por nuk ka arritur ende ta frenojë fenomenin, veçanërisht në sektorë me risk të lartë si shëndetësia, e cila vijon të mbetet një nga fushat më të prekura nga korrupsioni strukturor dhe keqmenaxhimi i fondeve publike.
Edhe pse institucionet e reja të drejtësisë kanë intensifikuar veprimtarinë e tyre dhe kanë nisur hetime ndaj funksionarëve të lartë publikë, korrupsioni mbetet i përhapur dhe rezistent ndaj ndëshkimit. Kjo reflektohet qartë në sektorin e shëndetësisë, i cili në Raportin e fundit të Progresit vlerësohet si një nga sektorët me riskun më të lartë për korrupsion. Prokurimet publike në këtë sektor janë klasifikuar me “flamur të kuq”, duke sinjalizuar rrezik të shtuar për praktika korruptive.
Një tregues domethënës i nivelit të përhapjes së korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike është fakti se tre nga katër koncesionet afatgjata të tipit Partneritet Publik-Privat (PPP) në shëndetësi po hetohen aktualisht nga SPAK, nën dyshime serioze për procedura jo transparente, keqpërdorim të fondeve publike dhe përfitime të padrejta për interesa private.
Megjithatë, pavarësisht këtyre hetimeve dhe faktit që lufta kundër korrupsionit ka prodhuar tashmë raste konkrete në nivele drejtuese, mekanizmat që kanë lejuar korrupsionin sistemik në shëndetësi nuk janë çmontuar plotësisht. Kontratat koncesionare problematike, mungesa e transparencës në vendimmarrje, dobësia e kontrollit institucional dhe ndërthurja e interesave politike me ato ekonomike vazhdojnë të krijojnë një terren të favorshëm për korrupsion.
Këto problematika janë evidentuar edhe përmes monitorimit të prokurimeve publike të realizuar nga Together for Life mbi procedurat e zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë vitit 2024. Gjetjet tregojnë një nivel shumë të ulët të konkurrueshmërisë, me një mesatare prej vetëm 1.37 operatorësh ekonomikë për procedurë prokurimi. Një numër i kufizuar kompanish përfitojnë shumicën e tenderëve në sektorin farmaceutik dhe të pajisjeve mjekësore, duke kufizuar konkurrencën dhe përjashtuar operatorët e rinj apo të vegjël nga tregu. Po ashtu, gjatë vitit 2024, ofertat fituese kanë qenë mesatarisht vetëm 2% nën fondin limit, krahasuar me 8.57% në vitin 2014, çka ngre dyshime serioze për paracaktim të fituesve dhe mungesë gare reale.
Ndërkohë, hetimet penale të hapura ndaj funksionarëve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, si edhe raportet e Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi dëmet e shkaktuara buxhetit të shtetit në sektorin e shëndetësisë, kanë ekspozuar qartë nivelin e lartë të përhapjes së korrupsionit në këtë sektor. Megjithatë, këto ndërhyrje nuk kanë arritur ende të prodhojnë një efekt parandalues të qëndrueshëm. Si pasojë, sektori i shëndetësisë vazhdon të perceptohet si një nga më të ekspozuarit ndaj korrupsionit, me pasoja të drejtpërdrejta për financat publike, cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe besimin e qytetarëve në sistem.















