Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se siguria mbetet elementi kyç që garanton besimin e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij në Samitin e Diasporës, ai theksoi se vendi po përballet me flukse të larta turistike, të cilat kërkojnë menaxhim profesional dhe reagim të shpejtë nga institucionet.
Hita u shpreh se Policia e Shtetit ka hyrë në një fazë të re modernizimi dhe transformimi, me synim rritjen e profesionalizmit, transparencës dhe besueshmërisë ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas tij, investimet në teknologji dhe rritja e kapaciteteve njerëzore janë në fokus të këtij procesi .
Një vëmendje e veçantë, sipas tij, i është kushtuar përmirësimit të kushteve në pikat kufitare, të cilat janë ndër kontaktet e para për turistët që hyjnë në vend.
Ai theksoi se këto pika janë pajisur me teknologji bashkëkohore dhe punonjësit janë trajnuar për të përmirësuar përvojën e vizitorëve .
Në kuadër të sezonit turistik, Policia ka rritur prezencën në zonat bregdetare dhe turistike për të garantuar rend dhe siguri. Hita nënvizoi se deri më tani nuk është regjistruar asnjë ngjarje e rëndë kriminale ndaj turistëve, ndërsa janë evidentuar qindra raste ndihme për vizitorët në situata të ndryshme .
Ai foli edhe për forcimin e masave kundër migracionit të paligjshëm, duke theksuar goditjen e rrjeteve të kontrabandës dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Si shembull, përmendi bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar, që sipas tij ka sjellë ulje të ndjeshme të tentativave për kalime të paligjshme .
Në përfundim, Hita theksoi se siguria mbetet prioritet absolut për Policinë e Shtetit, duke e cilësuar atë si “pasaportën” kryesore që Shqipëria ofron për miliona turistë dhe vizitorë çdo vit. /skyweb.al
















