Bordi i Transparencës ka caktuar çmimet e reja të shitjes me pakicë dhe shumicë për naftën dhe benzinën. Sipas vendimit të marrë këtë të martë, më 13 tetor, një litër naftë do të tregtohet me jo më shumë se 219 lekë, ndërsa benzina me jo më shumë se 196 lekë.
Për shitjen me shumicë, çmimi maksimal i naftës është përcaktuar në 207 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës në 184 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, në orën 14:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve të çmimeve të shitjes.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit, duke paralajmëruar se për shkeljet e konstatuara mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Vendimi vjen në kuadër të masave të marra për kufizimin e përkohshëm të çmimeve në tregun e hidrokarbureve, pas shpalljes së situatës së veçantë në këtë treg. /skyweb.al















