Vjeshta është një periudhë ideale për të udhëtuar, falë temperaturave të buta, fluksit më të ulët të turistëve dhe mundësisë për të zbuluar peizazhe piktoreske, trashëgimi kulturore dhe gastronominë tradicionale.
Sipas një artikulli të publikuar nga media italiane “Skyscanner.it”, mes 20 destinacioneve të rekomanduara për të shijuar ditët me diell gjatë shtatorit, tetorit dhe nëntorit përfshihet edhe Dhërmiu, një nga perlat e Rivierës Shqiptare.
I njohur për plazhet me ujëra të kristalta dhe peizazhin malor, Dhërmiu ofron mundësi për pushime të qeta edhe pas përfundimit të sezonit veror. Vizitorët mund të eksplorojnë fshatin e vjetër, kishat tradicionale, Kanionin e Gjipesë dhe Shtegun e Mullinjve, si dhe të shijojnë gatimet tradicionale dhe peshkun e freskët në restorantet buzë detit.
Temperatura mesatare e përmendur për destinacionin është 24°C, ndërsa vlera orientuese për periudhën e vjeshtës është 19°C, me ndryshime sipas muajit dhe kushteve atmosferike.
Lista e destinacioneve përfshin gjithashtu Lisbonën, Salernon, Otranton, Tenerife-n, Valetën, Marsejën, Heraklionin, Dubrovnikun, Malagën, Marrakeshin, Dubain, Stambollin dhe Palma de Majorkën, mes qyteteve dhe zonave të tjera turistike.
Këto destinacione ndërthurin detin, kulturën, shëtitjet në natyrë dhe kuzhinën vendase, duke ofruar alternativa për udhëtime të shkurtra ose pushime më të gjata, larg fluksit të sezonit të lartë turistik. /skyweb.al















