Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar me humor ndaj përpjekjeve të përsëritura për atentat ndaj tij, duke theksuar se nuk ndihet i trembur dhe nuk lejon që frika të ndikojë në ushtrimin e detyrës.
Gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, ku ishte i pranishëm së bashku me gazetarë dhe anëtarë të Kongresit, ai iu përgjigj me ironi pyetjeve mbi masat e sigurisë personale, përfshirë përdorimin e një jeleku antiplumb.
“Nuk dua të dukem 10 kilogramë më i rëndë duke veshur jelek,” u shpreh ai, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.
Trump shtoi se nuk e mendon shpesh rrezikun ndaj jetës së tij: “Nëse do të mendoja për këtë, nuk do të isha kaq efektiv.”
Deklaratat e tij vijnë pas publikimit të pamjeve nga një incident i fundit në Hilton Washington D.C., ku sipas raportimeve një person i armatosur qëlloi ndaj një agjenti të Shërbimit Sekret amerikan, i cili reagoi menjëherë.
Presidenti theksoi se jeleku antiplumb i agjentit kishte qenë vendimtar për mbijetesën, duke e përshkruar goditjen me një krahasim plot humor: “Është si të të godasë Mike Tyson.”
Sipas tij, gjatë dy viteve të fundit ka pasur tre tentativa për atentat ndaj tij, por ai këmbëngul se kjo nuk do të ndikojë në angazhimet publike apo mënyrën si ushtron detyrën./skyweb.al
















