Muajin e kaluar, një nga operatorët celularë njoftoi përdoruesit për rritjen e çmimeve të shërbimeve celulare, nëpërmjet indeksimit me ndryshimin mesatar vjetor të çmimeve të konsumit, duke nisur nga data 1 maj 2026.
Rritja e çmimeve do të jetë deri në masën 2.2%, sipas normës së inflacionit mesatar vjetor të publikuar nga INSTAT për vitin 2025.
Praktika e indeksimit të tarifave me inflacionin e ka origjinën në vitin 2024, kur dy operatorët më të mëdhenj të komunikimeve elektronike në vend, Vodafone Albania dhe One Albania, patën njoftuar ndryshime në termat dhe kushtet e përgjithshme për shërbimet e rrjetit celular dhe rrjetit fiks të kategorive Konsumator dhe Biznes, duke vendosur një klauzolë të veçantë, ku rezervonin të drejtën për të indeksuar çmimet e shërbimeve të tyre me normën e inflacionit të vitit të mëparshëm.
Mbështetur në informacionin e deritanishëm nga AKEP, kjo klauzolë ishte aplikuar për herë të parë vetëm nga One Albania, duke filluar nga data 1 qershor 2024, por vetëm për pajtimtarët e kategorisë Biznes.
Megjithëse rritja e çmimeve në vetvete, në rastin konkret, mund të mos jetë shumë e madhe, aplikimi i një praktike të tillë shton shqetësimin për efektin afatgjatë që ajo mund të ketë në kohë. Një indeksim i përvitshëm, për më tepër në periudha kur inflacioni mund të jetë ndjeshëm më i lartë, do të sillte shtrenjtim progresiv të kostove të komunikimit për përdoruesit shqiptarë.
Nuk është rastësi që operatorët celularë po e aplikojnë indeksimin vetëm në segmentin e shërbimeve celulare, ku konkurrenca është e kufizuar dhe në kushtet e një duopoli.
Një veprim i tillë deri tani, nuk është ndërmarrë në segmentin e shërbimeve fikse të të dy operatorëve, për arsyen e thjeshtë se tregu i shërbimeve fikse të komunikimit ka më shumë konkurrencë dhe përdoruesit kanë më shumë zgjedhje për t’u larguar drejt një ofruesi tjetër shërbimi.
Indeksimi i çmimeve me inflacionin nuk duket të jetë plotësisht i bazuar as nga pikëpamja teorike, sepse ndryshimi vjetor i inflacionit nuk reflektohet domosdoshmërisht në masë të plotë në strukturën e kostove të operatorëve.
Përkundrazi, në pjesën më të madhe, shpenzimet e operatorëve lidhen me zëra që nuk reflektojnë në mënyrë proporcionale shportën e indeksit të çmimeve të konsumit.
Autoriteti i Konkurrencës: Indeksimi është element i hetimit ndaj operatorëve
“Monitor” iu drejtua me një kërkesë zyrtare Autoritetit të Konkurrencës, për të marrë një qëndrim nga ky institucion për faktin nëse praktika e indeksimit automatik të çmimeve të shërbimeve të komunikimeve elektronike shtron probleme që lidhen me të drejtën e konkurrencës.
Në përgjigjen për “Monitor”, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se kjo çështje është nga elementet e hetimit të thelluar që ky institucion ka hapur në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, në nëntor të vitit të kaluar.
Në pikat 8 dhe 9 të këtij vendimi trajtohet edhe çështja e aplikimit të Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK), konkretisht:
Sipas kontratës së pajtimit të ndërmarrjes Vodafone Albania SHA (“Termat dhe Kushtet e Përgjithshme për shërbimet e telefonisë së lëvizshme”), parashikohet që detyrimet e pajtimtarit për pagesën e tarifave mund t’u nënshtrohen rregullimeve jo më shumë se një herë në vit, ku çdo muaj prill, vlera mujore e planit tarifor dhe e paketave rritet në përputhje me normën e IÇK të publikuar nga INSTAT.
Ndërmarrja One Albania ka njoftuar për përditësimin e termave dhe kushteve të kontratave,
duke përfshirë një klauzolë mbi indeksimin e çmimeve të pajtimtarëve në përputhje me IÇK, të
publikuar zyrtarisht nga INSTAT.
“Në këtë kuadër, bëjmë të ditur se gjatë procedurës së hetimit të thelluar në tregun me pakicë të
shërbimeve celulare, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës do të vlerësojë edhe aplikimin e normës së IÇK, në kuptim të dispozitave të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’. Procedura e hetimit është aktualisht në vijim”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Konkurrencës.
Trupa e Rregullatorëve të BE-së: Klauzolat e indeksimit cenojnë të drejtat e konsumatorëve
Përcaktimi i një klauzole që u lejon operatorëve të indeksojnë automatikisht tarifat e produkteve dhe shërbimeve me inflacionin ngelet çështje e diskutueshme nga pikëpamja ligjore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Bashkimin Europian.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka mbledhur informacion mbi legjislacionin e vendeve të tjera, lidhur me një dispozitë të tillë. Nga informacioni i mbledhur ka rezultuar se, përgjithësisht, e drejta për indeksim me normën e inflacionit nuk është e ndaluar në legjislacionin specifik sektorial apo në atë të përgjithshëm.
Në kushtet kur nuk ekziston një ndalim eksplicit, AKEP lë të kuptohet se praktika e indeksimit të tarifave është një praktikë që mund të konsiderohet e lejuar ligjërisht.
Por, një kuadër i ndryshëm ligjor ekziston në Angli, ku autoriteti rregullator (OFCOM) ka vendosur rregulla dhe ka dhënë udhëzime për rastet kur dhe si operatorët mund të përfshijnë indeksimin në termat dhe kushtet e përgjithshme të kontratës.
OFCOM ka kryer një proces Këshillimi Publik në lidhje me këtë çështje dhe ka miratuar gjatë vitit 2024 ndryshime në kuadrin rregullator, të cilat ndalojnë aplikimin e rritjes së tarifave të shprehura në përqindje (IÇK), ku rritjet gjatë kohëzgjatjes së kontratës duhet të shprehen në terma monetarë.
Megjithatë, një qëndrim kundër një praktike të tillë ka shprehur autoriteti kryesor në rregullimin e këtyre tregjeve, Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike (BEREC).
Në një dokument të vitit 2024, të quajtur “Opinioni i BEREC mbi tregun dhe zhvillimet teknologjike dhe mbi ndikimin e tyre në zbatimin e të drejtave të përdoruesve fundorë”, i publikuar në dhjetor 2024, kjo trupë e ka konsideruar përfshirjen dhe aplikimin nga operatorët në vendet e BE-së të klauzolave kontraktore për rritje të çmimeve gjatë kohëzgjatjes së kontratës (In-contract price increase clauses) sipas IÇK apo IÇK plus një marzh, si “zhvillim me ndikim shqetësues për të drejtat dhe përfitimet e përdoruesve fundorë, pasi në disa raste, ato kanë rezultuar në rritje të ndjeshme të tarifave dhe/ose përdoruesit nuk kanë të drejtën e ndërprerjes pa penalitet të kontratës”.
Opinioni dhe propozimi i BEREC për Komisionin Europian për këtë çështje është se
“këto klauzola paraqesin sfida për sa i përket konkurrencës, përballueshmërisë, lëvizshmërisë
(ndërrimit të ofruesit së shërbimit) së përdoruesit fundor, transparencës dhe krahasueshmërisë së
çmimeve. Përdorimi i tyre krijon rrezik që objektivat e kuadrit ligjor për mbrojtjen e konsumatorëve të mos përmbushen”.
Pavarësisht këtyre rekomandimeve, deri tani, AKEP nuk ka shprehur ndonjë qëllim të ndërhyjë për të rregulluar apo për të ndaluar klauzola të këtij lloji nga operatorët e komunikimeve elektronike në Shqipëri.
Operatorët: Praktikë e ligjshme, lejohet edhe në BE
Dy operatorët e komunikimeve elektronike në vend kanë argumentuar pranë rregullatorit se një klauzolë që u lejon indeksimin e tarifave është e ligjshme, madje kanë dhënë shembuj të aplikimit të kësaj klauzole në një sërë vendesh të BE-së, përfshirë operatorë të tjerë, pjesë e grupeve të kompanive pronare të dy sipërmarrësve.
Gjithashtu, operatorët celularë kanë sjellë si shembull edhe një precedent nga praktika gjyqësore e BE-së.
Ata kanë mbështetur qëndrimin e tyre me një vendim të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, të datës 26.12.2015, në çështjen që kishte përballë një shoqatë të mbrojtjes së konsumatorëve në Austri dhe njërin prej operatorëve të komunikimeve elektronike në vend (Verein für Konsumenteninformation vs A1 Telekom Austria).
Me këtë vendim, Gjykata i dha të drejtë operatorit, me interpretimin se një ndryshim në tarifa, që vjen si rezultat i një klauzole të axhustimit të çmimit të përfshirë në termat dhe kushtet standarde të kontratës, e cila parashikon që ky ndryshim është i bazuar në ndryshimet që pëson indeksi i çmimeve të konsumit të hartuar nga një institucion publik, nuk përbën modifikim të kushteve kontraktuale dhe nuk i jep të drejtën pajtimtarit të ndërpresë kontratën pa penalitet.
Shpenzimi mesatar celular, në rritje prej katër vitesh radhazi
Shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbime të komunikimeve celulare u rrit për të katërtin vit radhazi në 2024.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), shpenzimi mesatar arriti në 9200 lekë në vit, 16% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo vlerë mbështetet në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celularë (ARPU) dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë.
Gjithashtu, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për çdo minutë thirrje celulare në vitin 2024 u rrit në 5.54 lekë për minutë, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë. Kjo vlerë bazohet në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse dhe tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë.
Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 27.9 miliardë lekë, në rritje me 8.9% krahasuar me një vit më parë.
Në ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular, Vodafone Albania ka thelluar dominimin e vet, me rreth 58% të totalit të tregut, nga 56% që mbante një vit më parë, ndërsa One Albania ka zbritur në 42% të tregut, nga 44% që zotëronte në vitin 2023.
Vodafone Albania dominon edhe në volumin total të thirrjeve, të internetit dhe të mesazheve të shkruara, ndërsa statistikat zyrtare tregojnë se dy kompanitë kanë pjesë tregu të barabartë sipas numrit të përdoruesve aktivë.
Të dhënat e AKEP tregojnë se numri total i abonentëve celularë ose kartave SIM në fund të vitit 2024 arriti në rreth 3.4 milionë, e thënë ndryshe çdo banor në Shqipëri posedonte rreth 1.4 karta SIM, shifёr kjo mё e lartё se mesatarja europiane prej 1.25 karta SIM pёr banorё. Pjesërisht, kjo mund të jetë e lidhur me turizmin dhe përdorimin e përkohshëm të kartave SIM prej tyre.
Ndërsa, numri i kartave SIM aktive (numri i kartave tё përdorura për të kryer komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit) arriti në rreth 2.5 milionë, në rënie vjetore me 3.8%.
Operatorët nën hetim, por pretendojnë se rritja e çmimeve ishte e domosdoshme
Pas reduktimit gradual të numrit të operatorëve në treg, nga katër në dy të tillë, tregu i telefonisë celularë po përballet me sfida në rritje të lidhura me konkurrencën.
Në nëntor të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës hapi hetim të thelluar ndaj dy kompanive të ofrimit të shërbimeve celulare në vend, Vodafone Albania dhe One Albania.
Në argumentimin e vendimit, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se tregu me pakicë i shërbimeve celulare në Shqipëri paraqitet si duopol, ku dy operatorët në fjalë zotërojnë së bashku 100% të tregut. Kjo strukturë tregon një përqendrim të lartë tregu dhe një nivel të kufizuar konkurrence efektive, duke krijuar kushte të favorshme për pozitë dominuese kolektive.
Nga hetimi paraprak, që përfshiu periudhën nga 1 janari 2022 deri më 25 korrik 2025, është konstatuar se ndërmarrjet Vodafone Albania dhe One Albania kanë ndjekur një sjellje të ngjashme tregtare në lidhje me ofertat e tyre të shërbimeve celulare, përfshirë paketat me parapagesë, me kontratë dhe shërbimet roaming.
Në këtë periudhë, vihet re një rritje progresive dhe pothuajse e sinkronizuar e çmimeve,
ndërkohë që nuk rezulton që këto ndërmarrje të kenë përdorur një metodologji të përllogaritjes së
kostove, që do të justifikonte ndryshimet e çmimeve të aplikueshme në treg.
Nga analiza e zhvillimeve të çmimeve rezulton se, sa herë një nga operatorët ka rritur çmimet e
paketave celulare, operatori tjetër e ka ndjekur brenda një periudhe të shkurtër kohore me një rritje të ngjashme, si në nivel çmimi, ashtu edhe në strukturën e paketës (minuta, internet, SMS, vlefshmëri etj.). Kjo tregon reagim të menjëhershëm dhe simetrik, që mund të interpretohet si praktikë e bashkërenduar, në kuptimin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Analiza e ofertave tregon se paketat e ofruara janë pothuajse identike në çmim dhe përmbajtje (sasi interneti, minuta kombëtare, përfshirje roaming, etj.), duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe duke reduktuar presionin konkurrues ndërmjet operatorëve.
Ky homogjenitet i produkteve, i kombinuar me mungesën e transparencës në kosto, përbën rrezik për koordinim të sjelljes së ndërmarrjeve, që synon ruajtjen e një niveli të qëndrueshëm çmimesh dhe fitimesh në treg.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se asnjë nga ndërmarrjet nuk ka paraqitur dokumentacion që të dëshmojë se çmimet janë përllogaritur mbi bazën e një analize të kostove reale të shërbimeve.
Në mungesë të një metodologjie të qartë, rritjet e çmimeve mund të konsiderohen si të pajustifikuara ekonomikisht dhe si rezultat i një sjelljeje të orientuar drejt ndjekjes së një modeli të përbashkët tregtar, më shumë sesa drejt konkurrencës përmes inovacionit apo eficiencës.
Nga ana tjetër, operatorët celularë argumentojnë se vetë procesi i përqendrimit të tregut në vetëm dy aktorë ishte rrjedhojë e përkeqësimit të treguesve financiarë dhe e një strukture tregu që nuk rezultoi e qëndrueshme në afatin e gjatë. Konkurrenca e ashpër dhe nevoja e vazhdueshme për investime për më shumë se një dekadë solli rënie drastike të fitimeve të kompanive.
Sipas të dhënave të pasqyrave financiare, fitimet e siguruara nga operatorët në dekadën e fundit kanë qenë zhgënjyese. Në dhjetë vitet e fundit (deri në vitin 2024), fitimi EBIT (fitimi para interesave dhe taksave) i dy kompanive celulare ka qenë vetëm 9 milionë euro, ndërsa fitimi përfundimtar neto, pas taksave, ka qenë negativ, me humbje në vlerën e 67 milionë eurove.
Dy kompanitë që dolën nga tregu, Plus Communication dhe Albtelecom rezultuan me humbje nga aktiviteti në shërbimet celulare gjatë gjithë ekzistencës së tyre.
Sipas operatorëve, një performancë e tillë vështirë se mund të mbështesë shëndetin financiar afatgjatë të kompanive dhe të garantojë investimet e nevojshme, të lidhura me mirëmbajtjen dhe rritjen e kapaciteteve transmetuese të rrjeteve, me amortizimin e shpejtë në kohë të aseteve teknologjike, si dhe kapërcimin e radhës në teknologjinë 5G.
Në afat të shkurtër, ashpërsimi i konkurrencës solli përfitime për konsumatorët, nëpërmjet çmimeve më të ulëta, madje në raste të veçanta edhe çmime “grabitqare”, me qëllim zgjerimin e bazës së klientëve ose ruajtjen e kësaj baze, nga operatorët përkatës.
Por, një strukturë e tillë tregu nuk mund të ishte e qëndrueshme në afatin e gjatë, sepse kishte tendencën të gërryente përfitueshmërinë e operatorëve, të reduktonte burimet për shtimin e investimeve dhe në përgjithësi ta bënte tregun më pak tërheqës për investitorët.
Madje, AKEP si rregullator sektorial, pati shprehur shqetësimin për konkurrencë me çmime të pajustifikuara ekonomikisht dhe kishte kërcënuar ndërhyrjen, në rast se një praktikë e tillë do të vazhdonte.
Një element i rëndësishëm në këtë drejtim mund të jetë edhe madhësia e tregut. Shqipëria është një treg relativisht i vogël, me një tendencë në rënie të numrit të banorëve dhe rrjedhimisht edhe të përdoruesve potencialë të shërbimeve celulare.
Censi i fundit, i vitit 2023, numëroi një popullsi prej vetëm 2.4 milionë banorësh, me një rënie të ndjeshme nga popullsia prej 2.8 milionësh që ishte regjistruar në Censin e vitit 2011. Përmasa e vogël e tregut përcakton kosto më të larta për njësi dhe e bën të vështirë përfitimin nga mekanizmi i ekonomisë së shkallës./Monitor
















