Dy kompanitë e mikrokredive, të cilat aplikojnë interesat më të larta në treg, fituan 11 milionë euro neto vitin e kaluar.
ECFA, që për publikun e gjerë njihet si Kredo, regjistroi një fitim neto pas taksave prej 593.2 milionë lekësh ose 6.3 milionë euro, ndërsa Iute raportoi 421.8 milionë lekë fitim pas taksave.
Modeli i biznesit të kredive me interesa të shtrenjtë vazhdon normalisht pavarësisht skandaleve të shumta të këtij tregu, të cilat kulmuan dy vite më parë me shpërthimin e skemës MCA.
Pas shpërthimit të skandalit, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë disa herë për të ulur interesat maksimale që këto kompani ngarkojnë mbi huamarrësit e tyre.
Në vendimin më të fundit, interesi maksimal mbi kredinë konsumatore u kufizua në 51.3 për qind, çka mbetet sërish shumë i lartë.
Por modeli i mikrokredive komerciale nuk mund të funksionojë dot ndryshe, përveçse interesave të larta si fajde.
Ky është një model i kalbur ndërmjetësimi financiar, i cili prodhon pasoja të rënda negative. Vetë kompanitë e mikrokredive kanë një kosto të lartë kapitali.
ECFA e financon aktivitetin e saj me hua me interes rreth 13.5 për qind në vit.
Këto para që merren borxh nga bankat, aksionerët ose përmes emetimit të obligacioneve më pas jepen si kredi për qytetarët me interesa akoma më të shtrenjta.
ECFA ka sot një portofol kredish të dhëna për klientët e saj prej rreth 3.9 miliardë lekësh ose 41 milionë euro, nga të cilat gjeneron të ardhura 32 milionë euro të ardhura nga interesi në vit.
Pra e thënë shkurt, 100 lek kredi që ECFA jep për klientët i gjeneron mbrapsht 78 lekë interesa në vit.
Iute po ashtu ka një model problematik, por më të zbutur.
Kompania raportoi një portofol kredish prej 9.4 miliardë lekësh ose rreth 100 milionë eurosh vitin e kaluar, nga të cilat gjeneroi 33 milionë euro të ardhura nga interesat dhe komisionet ose 34 lekë interes për çdo 100 lekë kredi.
Iute ka një skemë agresive komisionesh, ku të ardhurat më të larta të kompanisë burojnë pikërisht prej komisioneve që ajo u ngarkon klientëve të saj.
Vitin e kaluar, të ardhurat e Iute nga komisionet ishin gati 20 milionë euro.
Por pavarësisht se arkëton të ardhura të larta nga komisionet dhe interesat, kompania ka po ashtu shpenzime të larta për të mbajtur në këmbë modelin e saj problematik të biznesit, ku mbi 5 milionë euro në vit paguhen për konsulencë, marketing, bonuse dhe shpenzime për mbledhjen e borxheve./kapitali.al
















