Edhe pse Shqipëria ofron det, liqene dhe zona malore tërheqëse, për shumicën e familjeve një javë pushime larg shtëpisë mbetet financiarisht e paarritshme.
Të dhënat e Eurostat të përpunuara nga Monitor, tregojnë se rreth 53% e familjeve shqiptare nuk kanë mundësi të paguajnë një javë pushime në vit. Për Shqipërinë, të dhënat i përkasin vitit 2023, ndërsa për vendet europiane vitit 2025.
Me këtë nivel, Shqipëria renditet e dyta në Europë për privimin nga pushimet, pas Rumanisë, ku përqindja kalon 60%.
Pas Shqipërisë renditen Turqia me rreth 51%, Maqedonia e Veriut me afro 48% dhe Greqia me rreth 47%.
Situata paraqitet më e mirë në vendet e tjera të rajonit. Në Serbi, rreth 36% e familjeve nuk përballojnë dot pushimet, ndërsa në Bullgari dhe Hungari niveli llogaritet në rreth 39%.
Mesatarja e Bashkimit Europian është afërsisht 27%, ose pothuajse sa gjysma e nivelit të regjistruar në Shqipëri. Kjo do të thotë se privimi nga pushimet prek proporcionalisht gati dy herë më shumë familje shqiptare sesa në BE.
Në Itali, përqindja është rreth 36%, ndërsa në Portugali, Kroaci dhe Spanjë luhatet në nivelin 32-33%.
Në vendet me të ardhura më të larta, pamundësia për të financuar pushimet është ndjeshëm më e ulët. Në Gjermani dhe Irlandë prek rreth një në pesë familje, ndërsa në Holandë dhe Suedi rreth 12-13%.
Përqindjet më të ulëta regjistrohen në Zvicër dhe Norvegji, ku më pak se 10% e familjeve nuk mund të përballojnë një javë pushime.
Pozicioni i Shqipërisë lidhet me të ardhurat e ulëta dhe me peshën e lartë që kanë në buxhetin familjar shpenzimet për ushqim, strehim, energji dhe transport.
Eurostat sqaron se treguesi nuk mat nëse familjet kanë udhëtuar realisht, por nëse kanë mundësinë financiare të paguajnë një javë pushime brenda ose jashtë vendit.
Familjet që zgjedhin të mos udhëtojnë për arsye personale nuk klasifikohen automatikisht si të privuara ekonomikisht.
















