Kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat ashpërsojnë masat ndaj drejtuesve të mjeteve që kapen në mënyrë të përsëritur duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit.
Sipas ligjit të ri, patenta hiqet përgjithmonë kur drejtuesi konstatohet me një nivel alkooli më të lartë se 0.5 gram për litër në gjak dhe rezulton se është ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur. Pra, masa përfundimtare zbatohet në rast përsëritjeje dhe jo që në konstatimin e parë.
Kodi i ndryshuar vendos rregulla më të rrepta edhe për drejtuesit që kanë marrë patentën e kategorisë B gjatë 24 muajve të fundit.
Për ta, kufiri i lejuar i alkoolit në gjak është zero, ndërsa shpejtësia maksimale kufizohet në 90 kilometra në orë në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore dhe në 80 kilometra në orë jashtë qendrave të banuara.
Shkelja e këtyre kufizimeve dënohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Nëse drejtuesi i ri kryen dy shkelje brenda një viti dhe humbet të paktën 10 pikë, periudha e kufizimeve zgjatet edhe me një vit.
Një tjetër ndryshim prek personat që kapen duke drejtuar automjetin pa qenë të pajisur me leje drejtimi. Përveç përgjegjësisë penale, atyre u shtyhet me një vit e drejta për t’u regjistruar në autoshkollë. Kur kundërvajtësi është i mitur, afati shtyhet me dy vjet nga momenti kur fiton ligjërisht të drejtën për të marrë patentën. /skyweb.al
















