Ndryshimet ligjore të miratuara disa muaj më parë kanë sjellë edhe ndryshimin e procedurave për dhënien e shtetësisë shqiptare për futbollistët me origjinë shqiptare. Dosjet tashmë duhet të kalojnë nëpër disa institucione dhe faza vlerësimi përpara se çështja të mbërrijë në fazën përfundimtare të dekretimit nga Presidenti i Republikës, i cili duket të jetë hallka e fundit e një procesi të gjatë.
Sipas kuadrit të ri, kërkesat për shtetësi për interes kombëtar në fushën e sportit nuk trajtohen vetëm mbi bazën e propozimit për një futbollist. Dosja duhet të kalojë fillimisht pranë strukturave shtetërore përgjegjëse për shtetësinë dhe më pas në ministrinë që mbulon sportin, e cila vlerëson nëse kandidatura përmbush kriteret dhe paraqet interes për sportin shqiptar.
Në këtë proces parashikohet edhe shqyrtimi institucional i dokumentacionit dhe hartimi i një rekomandimi për miratimin ose jo të kërkesës. Vetëm pasi këto hallka të jenë përfunduar, procedura mund të kalojë drejt fazës së dekretimit të shtetësisë.
Vetë ligji “Për shtetësinë” parashikon rastin e veçantë kur Shqipëria ka interes kombëtar apo interes në sport, ndërsa kuadri është zgjeruar për të mundësuar marrjen e shtetësisë edhe nga të miturit, me pëlqimin përkatës të prindërve ose kujdestarit. Ndryshimet synojnë pikërisht krijimin e më shumë mundësive për talentet e reja sportive me origjinë shqiptare.
Ndërkohë, mësohet gjatë viteve të fundit rreth 80 futbollistë me origjinë shqiptare janë pajisur me shtetësi shqiptare, me synimin për t’u krijuar mundësinë e aktivizimit me ekipet kombëtare të moshave apo me Kombëtaren A.
Megjithatë, numri i lartë i shtetësive të dhëna nuk është përkthyer automatikisht në një ndryshim cilësor të përfaqësueses, pasi vetëm një pjesë e vogël e këtyre futbollistëve kanë arritur të konsolidohen në nivelet më të larta të ekipeve kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, procedura e re kërkon një vlerësim më të strukturuar të çdo kandidature, përpara se shtetësia të kalojë në fazën përfundimtare të dekretimit. /skyweb.al
















