The Economist
Lufta në Iran ka shkaktuar goditjen më të madhe të ofertës në historinë e naftës. Megjithatë, edhe kur luftimet ishin në kulmin e tyre, çmimet e naftës nuk arritën kurrë nivelin prej 150 dollarësh për fuçi që shumë analistë kishin parashikuar në fillim të konfliktit. Për këtë duhen falënderuar disa qeveri.
Menjëherë pasi municionet iraniane e bënë të pakalueshme Ngushticën e Hormuzit, duke bllokuar brenda Gjirit rreth 14 milionë fuçi naftë bruto në ditë, monarkitë e naftës në Abu Dhabi dhe Riad drejtuan edhe 5 milionë fuçi në ditë përmes tubacioneve që anashkalojnë ngushticën.
Ministrat në Uashington dhe Tokio hodhën në treg një rekord prej 2 milionë fuçish në ditë nga rezervat emergjente, ndërsa racionalizimi i udhëhequr nga shteti në vendet më të varfra uli një pjesë të kërkesës.
Por katastrofa do të kishte ndodhur gjithsesi pa disa vendime të marra në heshtje në një tjetër kryeqytet: Pekin.
Mes shkurtit dhe qershorit, Kina përgjysmoi importet e saj të naftës bruto, duke i ulur me 5.5 milionë fuçi në ditë. Ekspertët vlerësojnë se vetëm kjo lëvizje mund t’i ketë ulur çmimit të Brent-it, referencës globale të naftës, 30 dollarë ose më shumë për fuçi.
Për krahasim, kjo është më shumë se gjysma e rënies së kërkesës globale gjatë karantinave të Covid-19, kur konsumi botëror u tkurr me 9 milionë fuçi në ditë. Por ka një ndryshim të madh. Gjatë pandemisë ekonomia botërore ra në recesion. Ekonomia kineze këtë herë ka vazhduar të ecë relativisht normalisht. Pekini nuk po blen më pak naftë të huaj sepse ekonomia e tij është në krizë.
Aftësia e Kinës për të ndezur dhe fikur kërkesën për naftë, me sa duket me një kosto relativisht të ulët ekonomike, i jep importuesit më të madh të naftës në botë mundësinë të ndikojë mbi çmimet në një mënyrë të ngjashme me atë që OPEC-u dhe aleatët e tij kanë bërë prej kohësh përmes kontrollit të rreth gjysmës së prodhimit global.
Dhe ndërsa karteli është dobësuar nga largimi i fundit i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe nga kapacitetet e tendosura prodhuese të anëtarëve të mbetur të Gjirit, fuqia e Kinës mbi tregun po rritet.
Siç e përshkruan drejtuesi i një kompanie të madhe të tregtimit të naftës: “Kina është OPEC-u i ri.”
Prej katër dekadash, OPEC-u është përpjekur t’i mbajë çmimet e larta duke vendosur kuota prodhimi. Importuesit, në anën tjetër, nuk mund t’i mbajnë çmimet të ulëta duke kufizuar kërkesën, sepse blerësit janë shumë më të fragmentuar se shitësit dhe kërkesa e brendshme për energji është rezultat i vendimeve të miliona konsumatorëve dhe kompanive.
Kina e madhe dhe e kontrolluar fort nga shteti është përjashtimi.
Dhe ndryshe nga OPEC+, vendimet e të cilit kërkojnë marrëveshjen e 21 vendeve, planifikuesit qendrorë të Kinës mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme, me urdhrin e vetëm një njeriu: presidentit Xi Jinping.
Kina po ndikon në tregjet e naftës përmes tre levave kryesore.
E para janë rezervat kombëtare të naftës.
Në 12 muajt deri në fillim të vitit 2026, teksa frika nga një “supertepricë” e naftës kishte ulur çmimet, Kina bleu me çmime të favorshme 200 milionë fuçi, duke shtuar edhe më shumë rezervat e saj që arrinin tashmë rreth 1 miliard fuçi.
Tregtarët vlerësojnë se këto blerje kineze mund t’i kenë shtuar çmimit botëror të naftës 10-20 dollarë për fuçi përpara shpërthimit të luftës në Iran.
Nga 11.6 milionë fuçi në ditë që Kina importonte në shkurt, deri në 1 milion fuçi në ditë përfaqësonin blerje shtesë për rezervim, të cilat Pekini mund t’i ndërpriste më vonë thjesht duke mos mbushur më magazinat.
Pasi mbërritën ngarkesat e fundit nga Gjiri të nisura përpara luftës, në fund të prillit Kina nisi të përdorte rezervat e grumbulluara.
Deri në korrik, inventarët ishin pakësuar me 70 milionë fuçi, sipas kompanisë së të dhënave Vortexa, pa llogaritur naftën e mbajtur në magazina lundruese dhe në depo të fshehta në shpella.
Nëse përfshihen edhe këto, Kina përdori rreth 150 milionë fuçi në vetëm tre muaj, ekuivalente me afërsisht 1.5 milionë fuçi në ditë.
Pjesa më e madhe erdhi nga rezervat tregtare – të mbajtura nga strukturat e magazinimit të kompanive të mëdha të naftës – dhe jo nga rezervat strategjike.
Normalisht, rafineritë duhet të zëvendësojnë brenda një muaji rezervat që tërheqin, shpjegon Tom Reed i Argus Media, një agjenci që raporton çmimet e energjisë. Por duke qenë se këto kompani janë shtetërore dhe shteti mund të marrë në përdorim rezervat tregtare, duket se këtë herë është bërë një përjashtim.
Nëse bashkohen 1 milion fuçi në ditë që Kina nuk po i blen më për magazinim me 1.5 milionë fuçi në ditë që po merr nga rezervat, administrimi i stoqeve mund të shpjegojë 2.5 milionë fuçi në ditë nga rënia totale prej 5.5 milionë fuçish në ditë e importeve kineze.
Emma Li e Vortexa vlerëson se Kina mund ta vazhdojë këtë strategji edhe për rreth katër muaj, përpara se udhëheqësit në Pekin të fillojnë të shqetësohen se rezervat po bien në nivele tepër të ulëta.
Leva e dytë e planifikuesve kinezë është kontrolli i eksporteve.
Si rafinuesi i dytë më i madh i naftës në botë, Kina është zakonisht një furnizues i rëndësishëm me karburante për fqinjët e saj aziatikë.
Por në mars qeveria urdhëroi rafineritë vendase të ndalonin nënshkrimin e kontratave të reja të eksportit dhe të anulonin apo të tërhiqeshin nga shumë marrëveshje të lidhura më parë.
Nga shkurti në prill, eksportet kineze të produkteve të rafinuara ranë pothuajse përgjysmë, në vetëm 430 mijë fuçi në ditë.
Brenda kësaj shifre përfshiheshin rreth 180 mijë fuçi në ditë karburant avionësh të rafinuar në nivel të lartë. Sipas vlerësimeve, ndryshimet në eksportet e produkteve i kursyen rafinerive kineze nevojën për të përpunuar 1.2-1.8 milionë fuçi naftë bruto në ditë.
Kufizimi i shitjeve jashtë vendit i mundëson Kinës të përdorë më shumë nga prodhimi i rafinerive për tregun e brendshëm.
Njëkohësisht, rafineritë mund ta përdorin një pjesë të naftës që normalisht do të përpunohej për mallra eksporti për të prodhuar produkte të tjera kritike, të cilat Kina zakonisht i merr nga Gjiri.
Mes tyre janë nafta, LPG-ja – gazi i lëngshëm i naftës – dy lëndë të rëndësishme për industrinë petrokimike, si edhe mazuti, të cilin rafineritë e vogla me probleme financiare e përpunojnë shpesh në vend të naftës bruto.
Kjo godet fitimet e rafinerive, sepse marzhet e eksportit janë më të larta se ato të shitjeve në tregun vendas. Por është një kosto që Partia Komuniste mund ta përballojë.
Ulja e kërkesës
Megjithatë, rezervat e mëdha dhe kufizimi i eksporteve nuk mjaftojnë për të shpjeguar rënien gjigante të importeve kineze.
Qeveria kineze përdori edhe levën e tretë: uli kërkesën e brendshme.
Në qershor, rafineritë kineze përpunuan 2.7 milionë fuçi naftë bruto në ditë më pak se një vit më parë.
Prodhimi i benzinës ra me 14%, ndërsa prodhimi i naftës dhe karburantit për avionë u tkurr me nga 21%.
Një vështrim më i thellë mbi transportin tregon një rënie të fortë të konsumit të karburanteve në Kinë.
Pasi autoritetet lejuan rritjen e çmimeve të karburanteve, shumë banorë të qyteteve kanë hequr dorë nga makina për të shkuar në punë, duke zgjedhur metronë, biçikletën ose taksitë – shumë prej të cilave janë elektrike.
Gjatë një feste kombëtare njëjavore në maj, karikimi i makinave elektrike përgjatë autostradave u rrit me gati 55%krahasuar me një vit më parë.
Trenat po zëvendësojnë një pjesë të fluturimeve të brendshme, numri i të cilave është reduktuar ndjeshëm. Autoritetet lokale kanë shtyrë punimet infrastrukturore, duke kursyer naftë.
Ciarán Healy i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë vlerëson se Kina konsumoi 10% më pak benzinë dhe vajgurigjatë dy muajve të parë të luftës krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe industria petrokimike kineze, më e madhja në botë, po përshtatet me kushtet e reja.
Vitin e kaluar ajo përpunonte miliona fuçi në ditë naftë dhe LPG – një pjesë e madhe e ardhur nga Gjiri – për të prodhuar polimere, materiale që variojnë nga PVC-ja dhe goma sintetike deri te najloni dhe poliesteri, të cilat fabrikat kineze i përdorin në sasi të mëdha.
Pa lëndët e para nga Gjiri dhe përballë urdhrit të qeverisë për t’i dhënë përparësi karburanteve kundrejt lëndëve petrokimike, kompanitë kanë gjetur mënyra për të prodhuar disa polimere duke përdorur qymyr dhe etan, një nënprodukt i gaztë i rafinimit të naftës.
Ndikimi i përgjithshëm i kësaj shtrëngese mbi ekonominë kineze deri tani duket i menaxhueshëm.
Vite të tëra investimesh të mbështetura nga shteti në energjinë e rinovueshme dhe transportin e gjelbër e kanë bërë sistemin energjetik më fleksibël.
Ndërkohë, vite të tëra “involucioni” – konkurrencë aq intensive sa ka krijuar mbikapacitete në sektorë si petrokimia – kanë lënë Kinën me rezerva të mëdha të pashitura polimeresh dhe produktesh të prodhuara prej tyre.
Këto rezerva shpjegojnë pse çmimet e prodhuesve nuk po shpërthejnë dhe inflacioni për konsumatorët mbetet nën kontroll.
Edhe pse PBB-ja u rrit vetëm 4.3% në tremujorin e dytë, ritmi më i dobët që prej fundit të vitit 2022, kjo lidhet më shumë me investimet e dobëta dhe pasojat e krizës së pasurive të paluajtshme sesa me mungesën e naftës.
Dhe qeveria kineze mund të përdorë ende rezervat strategjike të naftës, të cilat pothuajse nuk i ka prekur, vëren Michal Meidan i Oxford Institute for Energy Studies.
Megjithatë, rezervat kineze të naftës bruto, karburanteve dhe polimereve, edhe pse rezultuan shumë më të mëdha nga sa mendonin të huajt, nuk janë të pafundme.
Një distributor thotë se sapo ka shitur një ngarkesë polietileni që kishte qëndruar në magazinë që prej vitit 2021.
Ndryshe nga OPEC-u, i cili teorikisht mund të mbajë të reduktuar prodhimin për vite me radhë, Kina nuk mund të vazhdojë pafundësisht të importojë 5.5 milionë fuçi në ditë më pak se zakonisht.
Por lufta në Iran ka treguar se, në praktikë, Kina është e aftë të stabilizojë e vetme tregun botëror të naftës për një periudhë prej shumë muajsh.
Udhëheqësit e kartelit të naftës, gjithnjë e më të përçarë mes tyre, vetëm mund të ëndërrojnë të kenë të njëjtën fuqi. /economist.com
















