Punimet për montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri në Kashar kanë përfunduar më herët se afati i parashikuar, duke bërë të mundur rikthimin e qarkullimit normal në aksin Tiranë-Durrës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se përfundimi i ndërhyrjes përpara afatit u arrit falë shtimit të mjeteve dhe forcës punëtore në kantier, me qëllim reduktimin sa më shumë të ndikimit të punimeve në trafik.
Pas përfundimit të montimit të trarëve metalikë, qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës do të vijojë normalisht gjatë ditës së sotme, pa kufizimet që ishin parashikuar fillimisht për shkak të punimeve.
Ndërhyrja në Kashar është pjesë e projektit për zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore në korridorin Tiranë-Durrës, i cili përballon çdo ditë një fluks të lartë automjetesh.
Mbikalimi i ri synon të përmirësojë lidhjet rrugore në zonën e Kasharit dhe të lehtësojë lëvizjen në një prej nyjeve më të ngarkuara të hyrje-daljeve të kryeqytetit.
Punimet në këtë segment kanë sjellë gjatë ditëve të fundit kufizime dhe devijime të përkohshme të trafikut, ndërsa përfundimi më herët i kësaj faze u hap rrugën mjeteve për të vijuar lëvizjen normalisht në aksin Tiranë-Durrës.














