Rritja e inflacionit, normat më të larta të interesit dhe kostoja në rritje e jetesës në shumë vende të botës kanë bërë që gjithnjë e më shumë të rinj të kërkojnë rrugë alternative drejt pavarësisë financiare, duke u përpjekur të largohen nga rutina e lodhshme e punës dhe të përqendrohen te gjërat që kanë më shumë rëndësi për ta.
Edhe pasiguria gjeopolitike e viteve të fundit, përfshirë luftërat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, ka nxjerrë në pah rëndësinë e të pasurit një rezervë të fortë financiare dhe alternativa të tjera në rast të situatave të papritura.
Të gjitha këto faktorë kanë nxitur rritjen e lëvizjes FIRE, e cila po përqafohet gjithnjë e më shumë nga të rinjtë që duan të planifikojnë më herët dhe të arrijnë objektivat e tyre financiare sa më shpejt.
Pse po zgjedhin gjithnjë e më shumë njerëz FIRE?
Në shumë vende të botës, kostot e larta të banesave dhe pagat që kanë mbetur pothuajse të pandryshuara kanë bërë që pensioni tradicional të duket i paarritshëm për breza të tërë.
Sipas një sondazhi të fundit të YouGov, 57% deri në 72% e të rriturve jo-pensionistë në Evropë nuk janë të bindur se do të mund të jetojnë rehat gjatë pensionit.
Kjo ka bërë që më shumë njerëz të marrin kontrollin e drejtpërdrejtë të financave të tyre, duke synuar të ulin rrezikun e varfërisë në pleqëri.
Shumë prej tyre përballen gjithashtu me lodhje të rëndë nga puna, të shkaktuar nga stresi në kompani, udhëtimet e gjata drejt dhe nga puna dhe mungesa e një ekuilibri të shëndetshëm mes punës dhe jetës private.
Punonjësit e rinj po i japin gjithnjë e më shumë rëndësi kohës së lirë, udhëtimeve, projekteve personale dhe një pune me kuptim, në vend që të kalojnë gjithë karrierën duke u ngjitur në hierarkinë e kompanisë ose duke ndjekur simbole statusi.
Edhe mjetet më të mira financiare, si fondet e indeksuara me tarifa të ulëta dhe komunitetet financiare online, e kanë bërë më të lehtë edukimin financiar, monitorimin e shpenzimeve dhe krijimin e pasurisë, edhe pse pasiguria gjeopolitike është rritur.
Për kë është FIRE?
FIRE nuk është një strategji që i përshtatet të gjithëve.
Një grup që mund të përfitojë janë personat me të ardhura të larta dhe shpenzime të ulëta, përfshirë profesionistë në teknologji, inxhinieri, mjekësi apo financë, të cilët fitojnë paga të mira, por mbajnë një stil jetese relativisht modest.
Një grup tjetër janë njerëzit që natyrshëm pëlqejnë të planifikojnë, analizojnë shifrat dhe menaxhojnë buxhetin, si dhe ata që kanë tashmë njohuri bazë mbi financat personale.
Edhe punonjësit që përjetojnë stres të madh në punë dhe e shohin pavarësinë financiare si një mënyrë për t’u larguar nga puna mund të përfitojnë nga parimet e FIRE, kur kushtet e tyre financiare e lejojnë.
Në të njëjtën mënyrë, FIRE mund t’u përshtatet njerëzve që duan t’i kushtojnë më shumë kohë projekteve krijuese, udhëtimeve ose aktiviteteve vullnetare, pa u shqetësuar për një pagë të rregullt.
Si mund të ndiqni parimet e FIRE?
Lëvizja FIRE mbështetet kryesisht në dy rregulla: rregulli 25x dhe rregulli 4%. Këto përdoren për të llogaritur se sa para nevojiten për të dalë në pension herët dhe sa mund të tërhiqen çdo vit.
Rregulli 25x nënkupton shumëzimin e shpenzimeve tuaja të parashikuara vjetore me 25. Shuma që rezulton konsiderohet “numri FIRE”, pra madhësia e portofolit të investimeve që ju nevojitet për të mos qenë më i detyruar të punoni.
Ndërsa rregulli 4% sugjeron që në vitin e parë të pensionit të hershëm të tërhiqni 4% të portofolit tuaj. Në vitet pasuese, kjo shumë përshtatet me inflacionin, me synimin që kursimet të zgjasin gjatë gjithë periudhës së pensionit.
Në përgjithësi, personat që ndjekin FIRE përpiqen të kursejnë 50% deri në 70% të të ardhurave neto gjatë viteve të punës. Ata ndjekin një stil jetese shumë kursimtar dhe reduktojnë sa më shumë shpenzimet e panevojshme. Kjo ul shpenzimet vjetore dhe, rrjedhimisht, edhe shumën që u nevojitet për të arritur pavarësinë financiare.
Shumë prej tyre investojnë gjithashtu në mënyrë agresive, duke zgjedhur indekse aksionesh me kosto të ulët dhe llogari me avantazhe tatimore, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë nga rritja e përbërë e investimeve.
Katër llojet kryesore të FIRE
Në përgjithësi, ekzistojnë katër strategji kryesore:
Lean FIRE – u përshtatet minimalistëve dhe njerëzve që duan të jetojnë me shumë pak shpenzime, për shembull me më pak se 30 mijë euro në vit, në mënyrë që të dalin në pension sa më shpejt.
Fat FIRE – është për personat me të ardhura të larta që nuk duan të heqin dorë nga komoditeti. Ata synojnë të krijojnë një pasuri shumë më të madhe për të ruajtur një stil jetese me shpenzime të larta.
Barista FIRE – u përshtatet njerëzve që duan të largohen nga puna tradicionale me kohë të plotë, por vazhdojnë të punojnë pjesërisht për të siguruar të ardhura shtesë ose përfitime, si sigurimi shëndetësor.
Coast FIRE – është veçanërisht i përshtatshëm për punonjësit e rinj që duan të ndalojnë kursimet aktive në një moshë të hershme. Ata investojnë shumë në fillim dhe më pas i lënë investimet të rriten përmes interesit të përbërë deri në moshën tradicionale të pensionit.
Çfarë duhet të keni parasysh përpara se të ndiqni FIRE?
Edhe pse pavarësia financiare dhe pensionimi i hershëm duken tërheqëse, ka disa faktorë që duhen marrë parasysh.
Meqë FIRE mund të kërkojë kursimin e deri në 70% të të ardhurave dhe një buxhet shumë të rreptë, personat që zgjedhin këtë rrugë duhet të jenë shumë të disiplinuar. Ata duhet gjithashtu të jenë të përgatitur për të planifikuar për dekada me radhë kostot e kujdesit shëndetësor dhe ndikimin e inflacionit, pa pasur një pagë tradicionale.
Kursimi ekstrem, veçanërisht në moshë të re, mund të rrisë edhe rrezikun e izolimit social, pasi kufizimi i vazhdueshëm i shpenzimeve mund të ndikojë në jetën shoqërore.
Edhe tregjet financiare mbartin rrezik. Luhatjet dhe rëniet e tregjeve mund të ndryshojnë kthimet e pritshme, veçanërisht gjatë viteve të para të kursimit dhe investimit.
Disa njerëz mund të përballen gjithashtu me humbjen e një pjese të identitetit të tyre, veçanërisht pasi largohen nga tregu i punës dhe nuk kanë më një qëllim të qartë në jetën e përditshme.
Dhe, pavarësisht planeve të kujdesshme, disa persona që ndjekin FIRE mund të detyrohen të rikthehen në tregun e punës pas disa vitesh ose dekadash. Kjo mund të jetë e vështirë nëse aftësitë profesionale, njohuritë dhe rrjeti i kontakteve janë vjetruar gjatë kohës jashtë tregut të punës.















