Mënyra se si flet një person mund të zbulojë më shumë për shëndetin dhe plakjen e tij sesa mendohej më parë. Këtë e ka treguar një studim i ri që përdori një mjet të automatizuar kompjuterik të quajtur “speech clock” (ora e të folurit).
Mosha e përcaktuar nga të folurit nuk lidhet vetëm me mënyrën se si tingëllon zëri. Studiuesit thonë se ajo pasqyron edhe atë që po ndodh brenda trupit dhe shpresojnë që kjo metodë të mund të përdoret si një alternativë e lirë, jo-invazive dhe e automatizuar për matjen e plakjes biologjike.
“Zëri ynë duket se përmban shumë më tepër informacion rreth plakjes nga sa e kemi kuptuar më parë”, tha Agustín Ibáñez, autori kryesor i studimit në Trinity College Dublin.
Një program kompjuterik i automatizuar llogariti moshën e të folurit të një personi dhe e krahasoi atë me moshën e tij reale. Kjo tregoi nëse mënyra e të folurit dukej më e re, normale apo më e vjetër se sa pritej për moshën kronologjike, duke dhënë gjithashtu të dhëna për plakjen e shëndetshme.
“Ai kap si kalimin e kohës kronologjike, ashtu edhe sinjale që vijnë nga njohja, truri, biologjia e përgjithshme e trupit dhe madje edhe nga mjedisi ynë social i akumuluar”, shtoi ai.
Studiuesit analizuan regjistrime audio të gati 3,000 të rriturve që flisnin spanjisht në Amerikën Latine. Pjesëmarrësit kryen një sërë detyrash, duke përfshirë tregimin e një filmi të shkurtër të animuar, ritregimin e një historie pas një intervali prej 20 minutash dhe emërtimin e objekteve që i përkisnin kategorive të caktuara.
Duke përdorur mësimin makinerik (machine learning), ekipi analizoi qindra karakteristika të të folurit dhe të përmbajtjes së asaj që thoshin njerëzit, si shpejtësia e të folurit dhe pauzat, tonaliteti i zërit, përmbajtja emocionale, fjalori dhe saktësia kuptimore. Këto të dhëna u përdorën për të vlerësuar moshën kronologjike dhe për të krijuar për çdo person një “speech age gap”, pra diferencën midis moshës së të folurit dhe moshës reale.
Ora e të folurit arriti të dallonte personat e shëndetshëm nga ata me demencë. Personat e shëndetshëm kishin diferencat më të vogla midis moshës së të folurit dhe moshës reale, ndërsa diferenca bëhej gradualisht më e madhe te personat me sëmundjen e Alzheimerit dhe te disa forma të demencës frontotemporale.
Personat, të folurit e të cilëve dukej më i vjetër nga sa pritej për moshën e tyre, shfaqnin shenja të plakjes së përshpejtuar në disa sisteme biologjike dhe klinike.
Skanimet MRI të trurit treguan humbje më të madhe të strukturës së trurit dhe ndryshime në aktivitetin e tij.
Rezultatet më të larta të “moshës së të folurit” u lidhën gjithashtu me nivele më të larta të p-Tau217, një proteinë në gjak që lidhet me sëmundjen e Alzheimerit.
Pjesëmarrësit me rezultate që tregonin të folur më të vjetër performuan më dobët në testet e kujtesës, përqendrimit dhe zgjidhjes së problemeve. Kjo lidhje nuk u shfaq vetëm në detyrat që lidhen me gjuhën, por edhe në detyra jo-verbale, si kujtesa vizuale.
“Gjetja më e gjerë është megjithatë e habitshme, pasi zëri i një personi mund të ofrojë një pasqyrë jashtëzakonisht të përmbledhur të shumë dimensioneve të plakjes”, tha Ibáñez.
Sipas tij, faktorë si mosha kronologjike, plakja e trurit, aftësitë njohëse dhe shenjat e Alzheimerit dhe demencës zakonisht maten me mjete shumë të ndryshme dhe shpesh të kushtueshme. Megjithatë, duket se këto aspekte konvergojnë në mënyrën se si një person flet.
Autorët theksuan se shumë nga metodat aktuale për matjen e plakjes biologjike kërkojnë skanime MRI, analiza gjaku ose vlerësime klinike të specializuara. Në të kundërt, “ora e të folurit” ofron një alternativë me kosto të ulët, jo-invazive dhe të automatizuar, e cila mund të realizohet në distancë duke përdorur pajisje të zakonshme, pa pasur nevojë për personel mjekësor të specializuar.
Megjithatë, studiuesit theksuan se “speech clock” nuk është ende një test diagnostikues për demencën dhe nuk mund të përcaktojë nëse një mënyrë të foluri që duket më e vjetër parashikon se kush do të zhvillojë më vonë rënie të aftësive njohëse.
















