Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për rrezikun në rritje që paraqesin kimikatet që ndërhyjnë në funksionimin e sistemit hormonal, të pranishme në shumë produkte të përdorimit të përditshëm, si plastika, produktet kozmetike, lodrat, pajisjet elektronike, pesticidet dhe artikujt shtëpiakë.
Sipas një raporti të ri të OKB-së, këto substanca, të njohura si kimikate çrregulluese endokrine (EDC), janë zbuluar edhe në qumështin e gjirit dhe në gjakun e kordonit kërthizor. Ekspozimi ndaj tyre që në periudhën para lindjes mund të shkaktojë pasoja afatgjata në zhvillimin e trurit, rritjen, shëndetin riprodhues dhe funksionimin e sistemit imunitar.
Ekspertët paralajmërojnë se këto kimikate lidhen gjithashtu me probleme të fertilitetit, çrregullime të tiroides, metabolizmit dhe sistemit kardiovaskular. Disa prej efekteve mund të jenë afatgjata dhe, në raste të caktuara, të pakthyeshme.
Raporti thekson se, megjithëse njohuritë shkencore janë përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, masat ligjore dhe rregullatore nuk kanë ecur me të njëjtin ritëm. Në Bashkimin Evropian janë identifikuar zyrtarisht 231 substanca si çrregulluese endokrine, ndërsa 121 të tjera janë ende në proces vlerësimi.
Në nivel global, janë regjistruar mbi 350 mijë kimikate dhe përzierje kimike për prodhim dhe përdorim, por shumica dërrmuese nuk janë vlerësuar për efektet e mundshme në sistemin hormonal.
OKB-ja u bën thirrje qeverive të ndërmarrin veprime të koordinuara ndërkombëtare, të forcojnë kontrollet dhe të kufizojnë ekspozimin, veçanërisht te gratë shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët. Raporti kërkon gjithashtu zhvillimin e alternativave më të sigurta dhe testimin më të plotë të substancave kimike përpara se ato të përdoren në produkte të përditshme. /skyweb.al















