Paketat e cigareve do të duhet të përmbushin rregulla të detajuara për paralajmërimet shëndetësore, ndërsa duhanpirja do të ndalohet edhe në hapësira të caktuara të jashtme, përfshirë një perimetër prej 10 metrash pranë shkollave dhe spitaleve.
Këto janë disa nga masat e parashikuara në projektligjin e ri “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe produktet e lidhura me to”, të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe të shqyrtuar nga Skyweb.al.
Sipas nenit 11, fotografitë dhe mesazhet që paralajmërojnë për pasojat e duhanpirjes duhet të mbulojnë 65% të sipërfaqes së përparme dhe të pasme të paketave të cigareve.
Ky standard ekziston në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2020, por projektligji i ri e përfshin në kuadrin e përditësuar rregullator dhe përcakton mekanizmin për ndryshimin periodik të fotografive dhe mesazheve paralajmëruese.
Fotografitë do të përzgjidhen nga një bibliotekë e miratuar nga autoritetet përgjegjëse dhe do të alternohen sipas një kalendari vjetor.
Paralajmërimet duhet të jenë në gjuhën shqipe, të dukshme dhe të pashlyeshme, pa u mbuluar nga elemente të tjera të paketimit.
Projektligji ndalon gjithashtu përdorimin e shprehjeve apo paraqitjeve që sugjerojnë se një produkt duhani është më pak i dëmshëm, përfshirë përcaktime si “cigare të lehta” ose “me përmbajtje të ulët katrani”.
Paketat e cigareve duhet të përmbajnë të paktën 20 cigare, ndërsa paketimet e duhanit për t’u dredhur jo më pak se 30 gramë.
Duhani ndalohet edhe në ambiente të hapura
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me zgjerimin e zonave ku nuk do të lejohet duhanpirja.
Neni 26 i projektligjit parashikon ndalimin e pirjes së duhanit në një perimetër prej 10 metrash pranë institucioneve arsimore dhe shëndetësore.
Kufizimi përfshin gjithashtu këndet e lojërave për fëmijë dhe zonat sportive, duke e shtrirë mbrojtjen nga tymi i duhanit përtej ambienteve të mbyllura.
Ndalimi nuk do të vlejë vetëm për cigaret tradicionale, por edhe për produktet që emetojnë aerosol, përfshirë cigaret elektronike, në hapësirat e përcaktuara nga ligji.
Administratorët e institucioneve dhe ambienteve përkatëse do të jenë të detyruar të vendosin shenja të dukshme për ndalimin e duhanpirjes.
Kufizohen reklamat, dhuratat dhe ofertat promocionale
Ligji i ri synon të forcojë kufizimet për promovimin e produkteve të duhanit, duke përfshirë reklamat në pikat e shitjes, posterat dhe tabelat reklamuese.
Ndër praktikat që synohen të ndalohen janë shpërndarja e cigareve falas, kuponët e zbritjes, dhuratat promocionale, konkurset dhe programet e besnikërisë që nxisin konsumin.
Për shkeljen e rregullave parashikohen gjoba nga 5 mijë lekë për individët që pinë duhan në ambiente të ndaluara, deri në 5 milionë lekë për shkelje të caktuara të prodhuesve dhe importuesve, veçanërisht në lidhje me paketimin, etiketimin dhe gjurmueshmërinë.
Projektligji parashikon që dispozitat e tij të hyjnë në fuqi gjashtë muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa prodhuesve dhe importuesve u jepet një periudhë kalimtare 12-mujore për përshtatjen me kërkesat e reja. /skyweb.al















