Mjekët, infermierët dhe profesionistë të tjerë shqiptarë do ta kenë më të lehtë njohjen e kualifikimeve për të ushtruar profesionin në vendet e Bashkimit Evropian, pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ministria e Arsimit ka përgatitur projektligjin e ri “Për njohjen e kualifikimeve profesionale”, i cili përcakton mekanizmat për njohjen automatike të kualifikimeve të fituara në Shqipëri, në përputhje me standardet evropiane.
Sipas relacionit të shqyrtuar nga Skyweb.al, reforma përfshin shtatë profesione të rregulluara: mjekët, infermierët, stomatologët, mamitë, farmacistët, veterinerët dhe arkitektët.
Këto janë profesione për të cilat Bashkimi Evropian ka vendosur kërkesa minimale të harmonizuara të formimit, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së profesionistëve ndërmjet shteteve anëtare.
Aktualisht, një infermier apo mjek shqiptar që kërkon të punojë në një vend të BE-së duhet t’i nënshtrohet procedurave të njohjes së kualifikimit sipas legjislacionit të vendit pritës.
Kjo mund të përfshijë krahasimin e programeve të studimit, verifikimin e praktikës profesionale dhe, në raste të caktuara, përmbushjen e kërkesave shtesë.
Ligji i ri synon që, pas anëtarësimit në BE, kualifikimet shqiptare që përmbushin standardet evropiane të përfitojnë nga mekanizmi i njohjes automatike.
Në praktikë, kjo do të thotë se autoritetet e vendit pritës nuk do të duhet të krahasojnë nga e para përmbajtjen e formimit profesional, nëse diploma dhe kualifikimi përkatës plotësojnë kushtet e përcaktuara nga legjislacioni evropian.
Megjithatë, njohja automatike nuk do të vlejë pa dallim për çdo diplomë shqiptare.
Projektligji përcakton se kualifikimet duhet të jenë në përputhje me kërkesat minimale të formimit, ndërsa lista e dokumenteve dhe diplomave që përmbushin këto standarde do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Një trajtim i veçantë parashikohet edhe për profesionistët që kanë përfunduar studimet përpara harmonizimit të programeve me standardet e Bashkimit Evropian.
Për këto raste, projektligji parashikon mekanizma të njohjes së të drejtave të fituara, duke marrë në konsideratë edhe përvojën profesionale të dokumentuar.
Në kushte të caktuara, mund të kërkohet që profesionisti të ketë ushtruar aktivitetin për të paktën tre vjet gjatë një periudhe pesëvjeçare.
Njohja e diplomës nuk do të thotë automatikisht edhe fillim i menjëhershëm i punës.
Profesionistët do të duhet të respektojnë kërkesat e tjera të vendit ku synojnë të punojnë, përfshirë njohjen e gjuhës dhe procedurat përkatëse të regjistrimit ose autorizimit profesional.
Projektligji parashikon gjithashtu përdorimin e Kartës Profesionale Evropiane, një instrument elektronik që lehtëson shkëmbimin dhe verifikimin e dokumenteve ndërmjet autoriteteve të shteteve anëtare për profesionet që mbulohen prej saj.
Ndryshimet do të funksionojnë edhe në drejtimin e kundërt, duke lehtësuar njohjen në Shqipëri të kualifikimeve të profesionistëve të ardhur nga vendet e Bashkimit Evropian.
Reforma është pjesë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me Direktivën Evropiane 2005/36/KE për njohjen e kualifikimeve profesionale.
Por kur do të fillojë njohja automatike?
Sipas relacionit, zbatimi i këtij mekanizmi lidhet me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përmbushjen e kushteve përkatëse të njohjes reciproke.
Për rrjedhojë, miratimi i ligjit nga Kuvendi nuk do të sjellë menjëherë njohjen automatike të diplomave shqiptare në Gjermani, Itali, Francë apo shtete të tjera anëtare.
Megjithatë, ai krijon kuadrin ligjor për përfshirjen e profesioneve të rregulluara shqiptare në sistemin evropian të njohjes së kualifikimeve, duke përgatitur një ndryshim të rëndësishëm për mundësitë e punësimit të profesionistëve shqiptarë pas anëtarësimit. /syweb.al















