Shqipëria do të ndalojë tregtimin e cigareve elektronike njëpërdorimshme, të njohura si “disposable vapes”, në kuadër të një ligji të ri që vendos kufizime të forta për produktet e duhanit dhe nikotinës.
Projektligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe produktet e lidhura me to”, i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, parashikon ndalimin e shitjes së këtyre pajisjeve, kufizimin e tregtisë online dhe vendosjen e rregullave të reja për përdorimin e duhanit në mjedise publike.
Sipas relacionit të shqyrtuar nga Skyweb.al, ndalimi prek konkretisht cigaret elektronike njëpërdorimshme, të cilat shiten të gatshme për përdorim dhe hidhen pasi përfundon lëngu që përmbajnë.
Këto pajisje kanë zakonisht një bateri të integruar dhe ofrohen me aroma të ndryshme, si fruta, mente apo ëmbëlsira. Ato janë përhapur veçanërisht mes të rinjve.
Ndalimi nuk përfshin automatikisht të gjitha cigaret elektronike, pasi pajisjet e rimbushshme do të vazhdojnë t’u nënshtrohen kushteve të tjera të tregtimit dhe përdorimit.
Ministria argumenton se produktet njëpërdorimshme paraqesin rrezik për krijimin e varësisë nga nikotina, ndërsa hedhja e tyre pas përdorimit krijon mbetje plastike, elektronike dhe bateri të vështira për t’u ricikluar.
Kufizohet edhe nikotina në qeskat që tregtohen në Shqipëri.
Projektligji parashikon ndalimin e vendosjes në treg të qeskave me përmbajtje mbi 4 miligramë nikotinë për njësi.
Bëhet fjalë për produkte që vendosen në gojë, zakonisht ndërmjet buzës dhe mishit të dhëmbëve, duke çliruar nikotinë pa djegie apo avullim.
Kufiri prej 4 miligramësh është zgjedhur nga autoritetet shqiptare si masë për reduktimin e rrezikut të varësisë dhe nuk përbën një detyrim të drejtpërdrejtë të legjislacionit të harmonizuar evropian.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me shitjen e cigareve dhe produkteve me nikotinë në internet.
Relacioni parashikon ndalimin e shitjeve online brenda territorit shqiptar, si dhe kufizime për shitjen ambulante, makinat automatike dhe format e vetëshërbimit.
Sipas ministrisë, këto kanale e bëjnë më të vështirë kontrollin e moshës së blerësve, duke krijuar mundësi që produktet të përfundojnë te personat nën 18 vjeç.
Për shitjet ndërkufitare në distancë, projektligji përmban dispozita të veçanta për regjistrimin dhe verifikimin e moshës.
Ndryshime parashikohen edhe për vendet ku lejohet duhanpirja.
Ndalimi do të shtrihet në disa hapësira të jashtme, përfshirë këndet e lojërave, zonat sportive dhe një perimetër prej 10 metrash pranë institucioneve arsimore dhe shëndetësore.
Kufizimet do të zbatohen edhe për përdorimin e produkteve që emetojnë aerosol, përfshirë cigaret elektronike, në mjediset e përcaktuara nga ligji.
Në të njëjtën kohë, forcohen ndalimet për reklamimin dhe promovimin e duhanit, përfshirë ofertat promocionale, dhuratat, kuponët e zbritjes dhe shpërndarjen e mostrave falas.
Kur nis zbatimi i ndalimeve?
Sipas nenit 47 të përshkruar në relacion, ligji i ri parashikohet të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, nëse miratohet nga Kuvendi.
Ndërkohë, neni 45 parashikon periudha kalimtare 12-mujore për përshtatjen e prodhuesve dhe importuesve, si dhe për qarkullimin e stokut ekzistues. Zbatimi konkret i këtyre afateve për produktet që ndalohen do të varet nga formulimi përfundimtar i dispozitave.
Projektligji vendos gjithashtu gjoba që variojnë nga 5 mijë lekë për shkeljet individuale të ndalimit të duhanpirjes deri në 5 milionë lekë për shkelje të caktuara nga prodhuesit dhe importuesit.
Me miratimin e tij, do të shfuqizohet ligji ekzistues i vitit 2006 për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, duke krijuar një kuadër të ri rregullator për produktet tradicionale dhe ato elektronike. /skyweb.al















