Rezistenca ndaj antibiotikëve po kthehet në një kërcënim gjithnjë e më serioz për shëndetin publik në Europë. Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) paralajmëron se infeksionet e shkaktuara nga bakteret rezistente ndaj medikamenteve po rriten në disa vende, duke kufizuar mundësitë e trajtimit për pacientët.
Çdo vit, më shumë se 35 mijë persona humbin jetën nga rezistenca antimikrobike në Bashkimin Europian, Islandë, Lihtenshtajn dhe Norvegji. Ky numër është i krahasueshëm me vdekshmërinë e kombinuar nga gripi, tuberkulozi dhe HIV/AIDS.
Sipas ECDC-së, përhapja e rezistencës po i lë mjekët me gjithnjë e më pak alternativa për trajtimin e infeksioneve. Ekspertët bëjnë thirrje për masa urgjente, në mënyrë që të ruhet efektiviteti i antibiotikëve.
Në raportin e saj, agjencia paralajmëron se pa antibiotikë efektivë, mjekësia mund të rikthehet në një periudhë të ngjashme me atë përpara zbulimit të këtyre medikamenteve. Kjo do ta bënte shumë të vështirë, në disa raste edhe të pamundur, kryerjen e sigurt të transplanteve të organeve, kimioterapisë, trajtimeve në terapi intensive dhe ndërhyrjeve të tjera mjekësore.
Rezistenca antimikrobike ndodh kur mikroorganizmat, si bakteret, zhvillojnë aftësinë për t’u mbijetuar barnave që synojnë t’i eliminojnë ose të ndalojnë shumimin e tyre. Shqetësimi është shtuar edhe për shkak të shfaqjes së shtameve të reja bakteriale që janë rezistente ndaj disa antibiotikëve njëkohësisht.
Një nga problemet më shqetësuese janë infeksionet e gjakut të shkaktuara nga bakteret rezistente, veçanërisht Klebsiella pneumoniae dhe Escherichia coli (E. coli), të cilat lidhen me nivele të larta vdekshmërie te pacientët.
Të dhënat e fundit tregojnë se rastet e infeksioneve të gjakut nga E. coli rezistente ndaj antibiotikëve në Bashkimin Europian janë rritur me 16.4% gjatë periudhës 2019-2025. Kjo ndodh pavarësisht objektivit për uljen me 10% të rasteve, krahasuar me nivelin e vitit 2019.
Shqetësim të veçantë paraqet edhe bakteri Klebsiella pneumoniae, i cili mund të shkaktojë infeksione të traktit urinar, rrugëve të frymëmarrjes dhe qarkullimit të gjakut. Sipas ekspertëve të ECDC-së, jo vetëm që po shtohet transmetimi i shtameve të lidhura me njëra-tjetrën, por këto baktere po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u trajtuar për shkak të mekanizmave të rezistencës.
Objektivi europian është ulja me 5% e infeksioneve nga ky bakter, në raport me vitin 2019. Megjithatë, në vitin 2025 incidenca arriti në 3.75 raste për 100 mijë banorë, duke shënuar një rritje prej 72% krahasuar me nivelin fillestar.
Rezistenca ndaj antibiotikëve mbetet një problem në të gjithë Europën, por përhapja e saj dhe konsumi i këtyre medikamenteve ndryshojnë ndjeshëm nga një shtet në tjetrin.
Sipas raportit të ECDC-së, Qipro ka regjistruar rritjen më të madhe të infeksioneve nga Klebsiella pneumoniae rezistente ndaj antibiotikëve. Rastet janë shtuar me 716%, duke arritur në 21.29 për 100 mijë banorë gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, infeksionet e gjakut nga E. coli rezistente janë rritur me 276%.
Pas Qipros renditet Rumania, me 18.66 raste të infeksioneve nga Klebsiella pneumoniae rezistente për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Greqia me 16.28 raste.
Shqetësuese janë edhe rritjet e regjistruara në disa vende të tjera gjatë viteve të fundit. Në Hungari, infeksionet nga Klebsiella pneumoniae rezistente ndaj antibiotikëve janë rritur me 1,622%, ndërsa në Kroaci me 409% dhe në Bullgari me 356%.
Të dhënat e fundit rikthejnë në vëmendje nevojën për përdorimin e kujdesshëm të antibiotikëve dhe luftën kundër rezistencës antimikrobike, një fenomen që kërcënon efektivitetin e trajtimeve mjekësore dhe sigurinë e pacientëve në të gjithë Europën. /skyweb.al
















