Vrasja e turistit portugez në Principotes të Ksamilit ka zbuluar edhe një detaj tjetër. Pronarët e tij nuk kanë vjedhur vetëm tokën mbi të cilën është ndërtuar resorti, por kanë vjedhur edhe emrin.
Principotes Mikonos, një nga restorantet dhe baret më të njohur te ishullit të famshëm grek ka reaguar me shqetësim pas ngjarjes duke thkesuar se nuk ka asnjë lidhje me barin e plazhit në Ksamil.
Biznesi me seli në Mykonos tha se lokali në Ksamil po përdor emrin Principote pa autorizim dhe theksoi se nuk ka asnjë marrëdhënie biznesi, pronësie apo tjetër me lokalin shqiptar.
Sqarimi vjen pas vdekjes së turistit 20-vjeçar portugez Luis Miguel Varela Mendes, i cili u vra gjatë një grindjeje në një bar plazhi në Ksamil.
Në një deklaratë, Principote Mykonos tha se donte të parandalonte çdo konfuzion rreth incidentit dhe markës së saj.
“PRINCIPOTE MYKONOS nuk ka absolutisht asnjë marrëdhënie biznesi apo tjetër me dyqanin e mësipërm shqiptar”, tha kompania, duke shtuar se lokali dyshohet se po e përdor emrin e tij në mënyrë të paligjshme.
Kompania tha gjithashtu se ka ndërmarrë tashmë veprime ligjore kundër biznesit shqiptar, duke e akuzuar atë për konkurrencë të padrejtë dhe për përpjekje për të përfituar nga reputacioni ndërkombëtar që Principote Mykonos ka ndërtuar gjatë shumë viteve.
Deklarata vjen ndërsa autoritetet shqiptare vazhdojnë hetimin e incidentit vdekjeprurës në Ksamil. Një total prej 13 personash janë arrestuar në lidhje me rastin, ndërsa hetuesit vazhdojnë të shqyrtojnë rrethanat që çuan në përballjen fatale.
Rasti ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme në Shqipëri dhe Portugali, ndërsa Principote Mykonos ka ndërmarrë hapa për të distancuar qartë markën e saj nga vendi ku ndodhi incidenti. /kapitali.al
















