Deputeti socialist Erion Braçe i ka bërë thirrje qeverisë që të heqë taksën e qarkullimit nga çmimi i karburanteve, duke argumentuar se situata aktuale e financave publike e lejon një masë të tillë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Braçe thotë se të ardhurat publike kanë shënuar rritje të qëndrueshme gjatë viteve të fundit dhe se kjo krijon hapësirë për rishikimin e disa instrumenteve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt te çmimet.
Sipas tij, një prej tyre është taksa e qarkullimit që paguhet për çdo litër karburant.
“Ndikuar edhe nga qëndrueshmëria e rritjes së të ardhurave, tani është koha që këtë taksë ta heqim nga çmimi i karburanteve”, shprehet Braçe.
Deputeti i PS-së argumenton se çmimet e larta të naftës dhe benzinës kanë ndikuar në inflacion gjatë këtij viti dhe paralajmëron se rritja e kostos së hidrokarbureve mund të transmetohet edhe te produktet dhe shërbimet e tjera.
Sipas Braçes, heqja e taksës së qarkullimit do të sillte në radhë të parë një ulje të drejtpërdrejtë të çmimit që paguajnë qytetarët në pikat e karburantit.
Por ai rendit edhe dy efekte të tjera të mundshme. I pari lidhet me luftën kundër kontrabandës së karburanteve, veçanërisht në raport me Kosovën dhe tregtinë informale brenda vendit.
Efekti i dytë, sipas tij, do të ishte reduktimi i lëvizjeve të qytetarëve drejt vendeve fqinje vetëm për të furnizuar automjetet me karburant më të lirë.
Braçe përmend Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut si destinacione ku qytetarët shqiptarë shkojnë për të blerë karburant për shkak të diferencës së çmimeve.
“Duhet bërë tani”, përfundon deputeti socialist, duke i kërkuar qeverisë ndërhyrje në një moment kur, sipas tij, qëndrueshmëria e të ardhurave buxhetore krijon mundësi për heqjen e kësaj takse. /skyweb.al















