Sipas vendimit, çmimi maksimal i naftës në pikat e karburanteve do të jetë 211 lekë për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me një çmim jo më të lartë se 195 lekë për litër.
Për tregtimin me shumicë, Bordi ka përcaktuar çmimin maksimal prej 199 lekësh për litër për naftën dhe 183 lekësh për litër për benzinën.
Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të bëhet një rivlerësim në varësi të zhvillimeve në tregun e hidrokarbureve.
Vendimi është marrë në zbatim të masave të përkohshme të ndërmarra nga qeveria për kontrollin e çmimeve të karburanteve, pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve në shtator të këtij viti.
Bordi u ka kërkuar të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë që të zbatojnë çmimet e përcaktuara, duke paralajmëruar masa të ashpra për shkelësit.
Çdo subjekt që nuk respekton çmimet tavan rrezikon pezullimin e aktivitetit, sipas njoftimit zyrtar.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëjnë të ditur se masat synojnë mbrojtjen e konsumatorëve nga çmimet e larta dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Vendimi prek drejtpërdrejt kostot e transportit për qytetarët dhe bizneset, ndërsa karburantet mbeten një ndër zërat e rëndësishëm të shpenzimeve për ekonominë shqiptare. /skyweb.al
















