Nëpunësit e Ministrisë së Arsimit do të duhet të marrin miratim me shkrim nga eprori për të kryer veprimtari të jashtme krahas detyrës në institucion. Aprovimi do të jepet pasi të verifikohet nëse aktiviteti është i lejueshëm.
Rregulli përfshihet në Kodin e Etikës të miratuar nga ministrja Mirela Kumbaro, i cili përcakton standardet e sjelljes së punonjësve brenda dhe jashtë institucionit, me qëllim ruajtjen e integritetit dhe të imazhit të administratës.
Kodi kërkon paraqitje serioze në punë dhe nuk lejon veshje ekstravagante, sportive apo makiazh të tepruar. Nëpunësit nuk duhet të mbajnë as veshje, simbole ose elemente të tjera që shfaqin bindje politike.
Një tjetër ndalim lidhet me përdorimin e burimeve të ministrisë për fushata elektorale. Asetet, mjetet e punës, infrastruktura teknologjike dhe bazat zyrtare të të dhënave duhet të përdoren vetëm për përmbushjen e detyrave dhe në shërbim të interesit publik.
Gjatë vendimmarrjes, punonjësit nuk duhet të udhëhiqen nga interesat private apo ndikimi politik. Kur konstatojnë një konflikt të mundshëm interesi, ata duhet të kërkojnë përjashtimin nga procesi përkatës.
Ndalohet gjithashtu kërkimi ose pranimi, drejtpërdrejt apo tërthorazi, i dhuratave, shpërblimeve, favoreve dhe premtimeve për përfitime për veten apo persona të lidhur. Ndalimi zbatohet kur këto përfitime ndikojnë, mund të ndikojnë ose krijojnë perceptimin se cenojnë paanshmërinë në ushtrimin e detyrës.
Kodi parashikon edhe mbrojtjen e konfidencialitetit të nëpunësve që sinjalizojnë korrupsionin dhe raportojnë shkelje të ligjit gjatë detyrës.
Në mbledhjet me ministrin, sekretarin e përgjithshëm apo drejtues të tjerë, telefonat duhet të jenë të fikur ose në modalitet pa zë. Përdorimi i tyre lejohet vetëm kur autorizohet nga drejtuesi i mbledhjes.
Për zbatimin e këtyre rregullave, punonjësit do të mund të këshillohen me këshilltarin e etikës së institucionit, i cili do të ketë rol parandalues në respektimin e standardeve të integritetit.
















