Shqipëria renditet e para mes shtatë vendeve të rajonit të përfshira në një krahasim të trafikut të aeroporteve me numrin e banorëve. Sipas të dhënave të Data4X, vendi regjistron 4.185 pasagjerë aeroportesh për çdo 1.000 banorë.
Pas Shqipërisë renditet Kroacia, me 3.581 pasagjerë për 1.000 banorë.
Diferenca mes dy vendeve është 604 pasagjerë për të njëjtin numër banorësh, ose rreth 17% në favor të Shqipërisë.
Kosova zë vendin e tretë, me 2.907 pasagjerë për 1.000 banorë, duke lënë pas Malin e Zi, i cili regjistron 2.686.
Më tej renditen Maqedonia e Veriut, me 1.963 pasagjerë, dhe Serbia, me 1.389. Listën e mbyll Bosnja dhe Hercegovina, me 1.032 pasagjerë për çdo 1.000 banorë.
Treguesi i Shqipërisë është rreth trefishi i atij të Serbisë dhe mbi katër herë më i lartë se ai i Bosnjës dhe Hercegovinës.
Megjithatë, shifrat nuk tregojnë sa herë fluturon mesatarisht një shqiptar apo sa qytetarë përdorin avionin.
Ato krahasojnë trafikun e përgjithshëm të aeroporteve me popullsinë e vendit.
Në këtë trafik përfshihen edhe udhëtarët e huaj, ndërsa i njëjti person mund të numërohet gjatë udhëtimeve të ndryshme.
/skyweb.al















