Një projektligj i ri për përfshirjen dhe aksesueshmërinë parashikon detyrime të reja për një gamë të gjerë biznesesh dhe operatorësh ekonomikë. Në fokus janë bankat, shërbimet e pagesave, tregtia elektronike, kompanitë e transportit, platformat digjitale dhe operatorët që përdorin terminale vetëshërbimi.
Projektligji përfshin bankomatet, terminalet e pagesës, makinat e biletave, shërbimet bankare, kreditë, pagesat elektronike dhe shërbimet e tregtisë online.
Rregullat shtrihen edhe te faqet dhe aplikacionet për transportin ajror, rrugor, hekurudhor dhe detar, përfshirë biletat elektronike dhe informacionin në kohë reale.
Bizneset do të duhet të sigurojnë që produktet dhe shërbimet e tyre të jenë të përdorshme edhe nga personat me aftësi të kufizuara.
Për shkeljet, projektligji parashikon gjoba deri në 5 milionë lekë, ndërsa masa do të përcaktohet sipas rëndësisë, kohëzgjatjes dhe pasojave të shkeljes.
Gjoba nuk e përjashton kompaninë nga detyrimi për të korrigjuar problemin dhe për ta sjellë produktin ose shërbimin në përputhje me standardet.
Në raste të caktuara, produktet që nuk plotësojnë kriteret mund të ndalohen nga shpërndarja ose të tërhiqen nga tregu.
Projektligji përfshin edhe detyrime për prodhuesit, importuesit dhe distributorët, të cilët duhet të verifikojnë përputhshmërinë përpara hedhjes së mallrave në treg.
Një përjashtim i rëndësishëm parashikohet për mikrondërmarrjet që ofrojnë shërbime, të cilat nuk do t’u nënshtrohen kërkesave të aksesueshmërisë.
Si mikrondërmarrje konsiderohen bizneset me më pak se 10 punonjës dhe me xhiro ose bilanc vjetor deri në 2 milionë euro.
Projektligji është ende draft dhe parashikon që një pjesë e standardeve teknike të përcaktohen më pas me vendime të Këshillit të Ministrave. /skyweb.al















