Shpërndarja e rreth 6 milionë eurove nga skema Startup Albania për vitin 2026 po ngre pikëpyetje mbi kriteret e përzgjedhjes dhe rezultatet konkrete të projekteve të financuara.
Nga krahasimi i listave të fituesve rezulton se të paktën 15 persona janë rikthyer si përfitues edhe këtë vit, ndërsa dhjetë subjekte me të njëjtin NIPT kanë marrë financime si në 2025, ashtu edhe në 2026.
Vetëm këto dhjetë subjekte kanë përfituar rreth 98 milionë lekë, ose afro 1 milion euro, brenda dy thirrjeve.
Mes rasteve që ngrenë pikëpyetje është Albania Wine Experience, për të cilën raportohet një financim rreth 35 milionë lekë, ndërsa mbetet për t’u sqaruar produkti inovativ i financuar.
E-doctor rezulton se ka marrë financim për herë të dytë, ndërsa B2B Ballkan shfaqet gjithashtu si përfitues në më shumë se një rast.
Targa.al fitoi 3.76 milionë lekë në fazën e validimit dhe më pas financim në fazën e zgjerimit, megjithëse faqja e saj vazhdon të shfaqet “coming soon”. UPFRONT raportohet se ka marrë rreth 55 milionë lekë këtë vit dhe se është përfitues për herë të tretë.
MedWallet ka marrë rreth 10.6 milionë lekë në dy vite, ndërsa sipas të dhënave të paraqitura aplikacioni ka një numër shumë të kufizuar shkarkimesh.
Edhe Komuniteti dhe Talent Pass kanë kaluar nga faza e validimit në atë të zgjerimit, ndërsa ngrihen pikëpyetje mbi numrin e përdoruesve dhe të ardhurat e krijuara.
Rasti më i spikatur është GrAnD, që nga 3.25 milionë lekë në vitin 2025 ka kaluar në 10.6 milionë lekë financim në 2026, me të njëjtin NIPT.
Në listën e fituesve është edhe Pure Cycle, me mbi 9.1 milionë lekë financim, kompani ku figurojnë Drilona dhe Kristian Boçi, njerëz mjaft të njohur për drejtësinë.
Fakti që një subjekt është financuar më shumë se një herë nuk përbën vetvetiu shkelje, por rikthimi i të njëjtëve përfitues dhe mungesa e rezultateve të dukshme për disa projekte shtojnë kërkesën për transparencë.
Dokumentet e aplikimit, pikët e marra, produktet e financuara dhe rezultatet e monitorimit do të ishin elementët që mund të sqaronin nëse milionat e taksapaguesve kanë prodhuar realisht startup-e dhe produkte të reja teknologjike. /Marrë me shkurtime nga voxnews.al
















