Ndryshimet klimatike pritet të shtojnë ndjeshëm rrezikun nga thatësirat, përmbytjet dhe valët e të nxehtit në Shqipëri, ndërsa dokumenti i ri i qeverisë ngre edhe mundësinë e racionimit të ujit gjatë periudhave të thata.
Sipas një dokumenti strategjik të miratuar sëfundmi bga qeveria, në lidhje me ndikimet e ndryshimeve klimatike në Shqipëri, gjatë muajve të verës pritet të rritet shpeshtësia e thatësirave, ndërsa rënia e reshjeve mund të ushtrojë presion mbi furnizimin me ujë.
Dokumenti thekson se duhet të përmirësohen sistemet e parashikimit klimatik për të kuptuar “kur duhet racionuar uji gjatë sezonit të thatësirave”. Paralelisht, gjashtë nga qytetet më të mëdha të vendit janë klasifikuar me nivel të ardhshëm rreziku “shumë të lartë”.
Bëhet fjalë për Tiranën, Durrësin, Vlorën, Fierin, Shkodrën dhe Elbasanin, si dhe për brezin bregdetar, që konsiderohet zona më e urbanizuar e vendit.
Rreziku lidhet me kombinimin e temperaturave më të larta, valëve të të nxehtit, përmbytjeve, reshjeve ekstreme dhe, në zonat bregdetare, edhe me rritjen e nivelit të detit.
Shqipërisë i duhen rreth 8.4 miliardë euro për t’u përballur me ndryshimet klimatike
Për qytetet e tjera shqiptare, dokumenti e klasifikon rrezikun e ardhshëm si “të lartë” në skenarin më të mirë dhe “shumë të lartë” në skenarin më të keq.
Tirana përmendet veçmas, ku infrastruktura e transportit, energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, si dhe industria e vogël, cilësohen si tepër të cenueshme ndaj reshjeve të dendura dhe përmbytjeve.
Dokumenti vlerëson se deri në vitin 2050 rreth 78.2% e popullsisë së Shqipërisë pritet të jetojë në zona urbane, duke e rritur më tej ekspozimin e qyteteve ndaj rreziqeve klimatike. /skyweb.al
















