Kompania amerikane e modës Ralph Lauren ka ndryshuar kriteret që ndikojnë në shpërblimin vjetor të drejtuesve të saj, duke zëvendësuar objektivat e qëndrueshmërisë me tregues të lidhur me inteligjencën artificiale (AI).
Sipas një dokumenti prej 131 faqesh të publikuar nga kompania, ndryshimi i heq objektivat për qëndrueshmërinë dhe përgjegjësinë sociale nga skema afatshkurtër e stimujve për drejtuesit. Këto kritere ishin pjesë e planit të shpërblimeve për katër vite me radhë.
Në vend të tyre, kompania ka përfshirë objektiva që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale, të cilat do të merren parasysh së bashku me faktorë të tjerë, si rritja e shitjeve dhe kostot operacionale, për përcaktimin e shpërblimeve vjetore të drejtuesve.
Vendimi shihet si një tregues i prirjes në rritje në sektorin e shitjes me pakicë për ta lidhur performancën e drejtuesve të kompanive me përvetësimin dhe përdorimin e teknologjive të inteligjencës artificiale.
Një zëdhënëse e Ralph Lauren deklaroi se përfshirja e objektivave të AI synon të shfrytëzojë mundësitë që kjo teknologji ofron për përmirësimin e punës. Ajo shtoi se objektivat e mëparshëm të qëndrueshmërisë kanë ndihmuar kompaninë të shënojë përparim domethënës dhe se puna në këtë drejtim tashmë është integruar në aktivitetin e përditshëm të biznesit.
Ralph Lauren është ndër kompanitë e pakta të tregtisë me pakicë të listuara në bursë që kanë përfshirë shprehimisht tregues të inteligjencës artificiale në planet e shpërblimit të drejtuesve.
Një qasje e ngjashme është ndjekur edhe nga kompani të tjera jashtë sektorit të modës, përfshirë Salesforce dhe Textron. Kjo e fundit ka zëvendësuar gjithashtu treguesit e lidhur me kriteret mjedisore, sociale dhe të qeverisjes së korporatave, të njohura si ESG.
Ndërkohë, disa kompani të sektorit të konsumit, përfshirë PepsiCo, kanë përmendur avancimin e strategjisë së tyre për inteligjencën artificiale si një nga faktorët që ndikojnë në përcaktimin e shpërblimeve vjetore për drejtues të caktuar.
Zhvendosja e prioriteteve pasqyron rëndësinë në rritje që kompanitë po i kushtojnë inteligjencës artificiale, jo vetëm si mjet për rritjen e efikasitetit, por edhe si një tregues i performancës së drejtimit të tyre.















