Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka njoftuar nisjen e një procedure të re për trajtimin e banesave që nuk disponojnë dokumentacion pronësie.
Aksioni do të nisë nesër në Palasë, ku ekipet e Kadastrës do të qëndrojnë për një javë, duke kontrolluar derë më derë të gjitha banesat pa dokumentacion. Më pas, nisma do të shtrihet gradualisht edhe në fshatra të tjerë të vendit.
Drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, deklaroi se specialistët do të verifikojnë çdo banesë, pavarësisht nëse pronarët kanë aplikuar më parë ose jo.
“Kadastra do të trajtojë banesat pa dokumentacion pronësie me një qasje tjetër. Përmes ekipeve të dedikuara dhe të lëvizshme, ne do të vijmë në fshatin tuaj në mënyrë të organizuar. E thënë ndryshe, Kadastra shkon derë më derë”, tha Goxhobelli.
Gjatë kontrolleve, specialistët do të kryejnë matjet në terren, do të verifikojnë dokumentacionin dhe do të saktësojnë të dhënat për secilën pronë. Për rastet që plotësojnë kriteret ligjore do të merret vendimi përkatës, i cili do t’u dërgohet qytetarëve përmes platformës e-Albania.
Ekipet do të qëndrojnë vazhdimisht në zonën ku zhvillohet procesi, duke u dhënë mundësi banorëve të komunikojnë drejtpërdrejt me specialistët dhe të mësojnë se në cilën fazë ndodhet dosja e tyre.
Pas përfundimit të verifikimeve, Kadastra do të publikojë statusin e të gjitha banesave të trajtuara. Në listë do të përcaktohen pronat që janë pajisur me vendim, dosjet që kërkojnë dokumente shtesë, si dëshmitë e trashëgimisë, si dhe rastet kur specialistët nuk kanë mundur të hyjnë në banesë.
Kadastra u ka bërë thirrje banorëve të Palasës të bashkëpunojnë me ekipet, të njoftojnë familjarët dhe fqinjët, si dhe të sigurohen që gjatë kontrollit të ketë një person të pranishëm në banesë.















