Çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm gjatë fundjavës, duke e çuar naftën në 229 lekë dhe benzinën në 219 lekë për litër. Krahasuar me nivelet e mëparshme, nafta është shtrenjtuar me 10 lekë për litër, ndërsa benzina me 14 lekë, duke rënduar drejtpërdrejt familjet dhe bizneset.
Rritja i gjen konsumatorët shqiptarë pa asnjë mekanizëm mbrojtës. Qeveria e ndërpreu funksionimin e Bordit të Transparencës më 19 qershor 2026, me argumentin se tregu ishte stabilizuar.
Shkrirja e Bordit ka shfuqizuar edhe skemën që parashikonte uljen me 20% të akcizës kur nafta kalonte 220 lekë dhe benzina 200 lekë për litër.
Edhe gjatë periudhës kur funksionoi, masa u përdor vetëm dy herë, me një efekt prej 37 milionë lekësh në buxhet.
Ndërkohë, vendet e rajonit kanë ndërhyrë për të zbutur goditjen. Mali i Zi ka përgjysmuar akcizën, Serbia e ka ulur me 25%, ndërsa Maqedonia e Veriut e uli TVSH-në e karburanteve në 10% gjatë periudhës së krizës, ndërsa Greqia ka njoftuar sëfundmi masa mbrojtëse ndaj qytetarëve për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve.
Në Shqipëri, mbi naftën rëndojnë akciza prej 39,4 lekësh për litër, taksa e qarkullimit prej 27 lekësh, taksa e karbonit prej 3 lekësh dhe TVSH-ja 20% si edhe mjaft taksa dhe tarifa lokale.
Barra fiskale përbën afërsisht gjysmën e çmimit përfundimtar dhe e mban Shqipërinë me karburantin më të shtrenjtë në rajon.
Skyweb.al e ka ngritur vazhdimisht problematikën e taksave të shumta mbi karburantet, të cilat e shumëfishojnë efektin e çdo rritjeje në bursat ndërkombëtare. /skyweb.al















