Zbatimi i planit sektorial në ndërtim ka sjellë rritje të numrit të punonjësve dhe të pagave të deklaruara, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Në qershor 2026, paga bruto e deklaruar në këtë sektor u rrit me 23% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Paga bruto mbi të cilën llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore u rrit me 20%, ndërsa totali i kontributeve të mbledhura shënoi një rritje prej 25%.
Rritja më e lartë u regjistrua te Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi, me 49% më shumë krahasuar me qershorin 2025.

Edhe numri i punonjësve të deklaruar në ndërtim u rrit. Nga 63,041 punonjës në qershor 2025, numri arriti në 65,241 në qershor 2026, ose 2,200 të punësuar më shumë. Rritja vjetore llogaritet në rreth 3%.
Të dhënat tregojnë edhe ndryshime të forta në shpërndarjen e punonjësve sipas fashave të pagave. Numri i të deklaruarve me pagë deri në 39,999 lekë ra me 4%, ndërsa për pagën fikse 40 mijë lekë rënia arriti në 99%.
Punonjësit e deklaruar në fashën 40,001–49,999 lekë u pakësuan me 91%, ndërsa numri i atyre me pagë 50 mijë lekë u rrit me 156%.
Në fashën 50,001–70,000 lekë pati rënie me 13%, ndërsa numri i punonjësve me paga nga 70,001 deri në 100,000 lekë u rrit me 119%.
Rritje u regjistrua edhe te pagat më të larta. Punonjësit e deklaruar me pagë nga 100,001 deri në 120,000 lekë u shtuan me 79%, ndërsa ata me pagë mbi 120,000 lekë u rritën me 49%.
Administrata Tatimore i lidh këto rezultate me formalizimin e sektorit dhe paralajmëron se do të vijojë zbatimin e Planit Operacional të Ndërtimit, me synim zgjerimin e mëtejshëm të deklarimit të punonjësve, pagave dhe kontributeve. /skyweb.al















